
Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ditë më parë ka dalë me një draftpropozim për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, të cilin ia ka përcjellë presidentit francez Macron dhe kancelarit gjerman Scholz.
Gjermania tashmë ka konfirmuar se ka pranuar propozimin e Ramës, por që nuk ka komentuar përmbajtjen e tij.
“Ne mund të konfirmojmë marrjen e një dokumenti të tillë. Kërkojmë mirëkuptimin tuaj se nuk duam të komentojmë përmbajtjen konfidenciale”, tha për Kosova Online zëdhënësi i Qeverisë gjermane, transmeton Zeri.info.
Rama njoftoi dje se i ka dërguar presidentit francez Emmanuel Macron dhe kancelarit gjerman Olaf Scholz një propozim për draftstatutin e Bashkësisë së Komunave Serbe, duke shtuar se nuk e kupton ngurrimin e autoriteteve të Kosovës për të depërshkallëzuar situatën në veri, e cila “po merr përmasat e një tragjedie politike për Kosovën”.
Kujtojmë se Ekipi Menaxhues për themelimin e Asociacionit, i cili është i autorizuar me Marrëveshjen e Brukselit për hartimin e Statutit, ka paraqitur propozimin e tij gjatë raundit të fundit të dialogut në nivelin më të lartë në Bruksel.
Ai propozim, megjithatë, nuk u miratua nga Qeveria e Kosovës, që vetëm një ditë më vonë shkarkoi Ekipin Menaxhues.



