
Bashkimi Evropian dërgon mision vlerësues në Maqedoninë e Veriut për punën e Këshillit Gjyqësor, pas një varg skandalesh dhe trazirash gjatë muajve të kaluar. Këtë e paralajmëroi euroambasadori Dejvid Gir në intervistë për Top Tema në TV Telma.
Giri tha se kjo i është propozuar Qeverisë dhe shpreson se do të realizohet sa më shpejtë që është e mundur, sepse, siç thotë, puna e Këshillit Gjyqësor duhet të korrigjohet.
“Mendoj se turbulenca është fjala e duhur për këtë. Ne po e ndjekim këtë nga afër me shumë shqetësim. Këshilli Gjyqësor duhet të luajë një rol shumë të rëndësishëm. Ai duhet të mbrojë dhe promovojë pavarësinë, profesionalizmin dhe integritetin e gjyqësorit. Kjo është puna e tij. Është e qartë se nuk e bën këtë. Dhe atë që kemi parë së fundmi është vërtet… Zhvillimet e fundit janë shumë shqetësuese. Aq sa për këtë arsye i kemi propozuar Qeverisë që të sjellë këtu një mision vlerësimi të nivelit të lartë për Këshillin Gjyqësor, për të gjetur mënyrat se si t’i përgjigjemi pyetjeve për profesionalizmin, integritetin dhe pavarësinë, në mënyrë që ata të mund të kryejë punën e tyre në të ardhmen”, thotë Gir.
Ai sqaron se ai është grup këshilldhënës, mision vlerësues.
“Shpresoj se do të mund ta bëjmë këtë shumë shpejtë, por kjo dëshmon se sa kujdes ne do t’i kushtojmë sundimit të ligjit dhe sa të rëndësishëm e vlerësojmë rolin e Këshillit Gjyqësor. Kjo duhet të korrigjohet”, u përgjigj Giri në pyetjen për ngjarjet në Këshillin Gjyqësor



