Vlera e gjithë projektit është rreth 860 mijë euro. Komuna Vrapçisht dhe Bogovinë marrin pjesë me 545 mijë euro, Ministria e Vetëqeverisjes Lokale e mbështet projektin me 81 mijë euro, ndërsa pjesa tjetër e mjeteve sigurohet përmes Programit të BE-së për bashkëpunim ndërkufitar ndërmjet Maqedonisë dhe Shqipërisë.
Objekti i ri i destinuar për Stacionin territorial të Zjarrfikësve për Komunën e Vrapçishtit dhe Bogovinës është në fazën përfundimtare, ndërsa planifikohet të finalizohet në fund të muajit nëntor. Kështu bëjnë të ditur nga Komuna e Bogovinës prej nga thonë se, në Njësinë e përbashkët të zjarrfikësve në Vrapçisht dhe Bogovinë, do të jenë angazhuar gjithsej 9 zjarrfikës. Pritet që këto punësime të kalojnë nëpër procedurat e nevojshme dhe të parashihen mjete në Buxhetin për vitin 2025. Deri më tash, dihet se vendimi ka kaluar në seancë qeveritare dhe pritet që ti dërgohet për miratim Parlamentit për shkak se duhet të ketë ndryshime në Ligjin për organizimin territorial. Të paktën, këto janë informacionet e fundit që vijnë nga Komuna e Vrapçishtit prej nga njoftojnë se më 20 janar, dy komunat do të bëhen me Njësi të përbashkët të zjarrfikësve.
Ndërkohë, nga Komuna e Bogovinës thonë se pritet që të vendoset edhe inventari i nevojshëm për këtë objekt. “Ky projekt për Njësinë e përbashkët të zjarrfikësve është një projekt që realizohet përmes projekteve ndërkufitare me Republikën e Shqipërisë. Nga pjesa jonë janë të përfshirë dy komunat, Vrapçishti dhe Bogovina. Objekti është gati dhe pritet të vendoset një inventar dhe problemi do të jetë tek ndarja e bllok-dotacioneve nga Ministria e Mbrojtjes. Të punësuarit i kanë bërë trajnimet dhe presim të lëshohet në përdorim objekti dhe i njëjti të jetë në funksion”, deklaroi Besnik Emshiu, kryetar i Komunës së Bogovinës.
Ndërkaq, nga Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut thonë se Qeveria tashmë ka formuar një grup pune, detyra e të cilit është të punojë në propozim-amendamentet e Ligjit për zjarrfikës, sepse Ligji aktual nuk është adekuat për nevojat që ka shteti.
Sipas Qeverisë, krahas qëllimit kryesor të Stacionit territorial të Zjarrfikësve për Vrapçishtin dhe Bogovinën, projekti është i një rëndësie të madhe edhe për Parkun Kombëtar Mali Sharr, i cili kufizohet me të dyja komunat. “Për sa i përket objektit, ju informojmë se ai do të funksionojë për mbrojtjen e rajonit në çdo aspekt. Objektet e zjarrfikësve mund të vihen në funksion për shuarjen e zjarreve aty ku ka nevojë për. Kjo do të garantojë sigurinë e mbi 65 mijë banorëve vendas, ku do të përfshihen edhe 8 mijë hektarë terren malor dhe brez pyjor në rajonin ndërkufitar. Nuk do të ketë vend për frikë”, thonë nga Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Ndryshe, vlera e gjithë projektit është rreth 860 mijë euro. Komuna Vrapçisht dhe Bogovinë marrin pjesë me 545 mijë euro, Ministria e Vetëqeverisjes Lokale e mbështet projektin me 81 mijë euro, ndërsa pjesa tjetër e mjeteve sigurohet përmes Programit të BE-së për bashkëpunim ndërkufitar ndërmjet Maqedonisë dhe Shqipërisë. Nga Qeveria shtojnë se është e rëndësishme që në bashkëpunim me Njësitë e vetëqeverisjes lokale, të hartohet një plan shumëvjeçar për investime në mjete dhe pajisje për zjarrfikësit për rritjen e efikasitetit dhe kushteve të punës së tyre.