
Kryetari i Alternativës, Afrim Gashi, nuk ka pasur asnjë kontakt me kryetarin e BDI-së, Ali Ahmeti, pas vendimit për rikonstruimin e Qeverisë. Gashi thotë se pret që të kontaktohet nga Ahmeti, për t’ia bërë të ditura arsyet e largimit të partisë së tij nga pushteti.
“Nuk kam kontaktuar gjatë këtyre ditëve. Kam pritur që të më thërret dhe së paku të bëj shpjegimin e tij pse ka ndodhur kjo kështu, megjithatë atë është çështje e tij”, ka thënë Gashi në Programin 200.
Kryetari i Alternativës, Afrim Gashi nuk beson se këtë vit mund të votohen ndryshimet kushtetuese. Në Programin 200 në Alsat, ai tha se partia e tij mbështet ndryshimet kushtetuese por me një kusht, që të pranohet amendamenti i tyre për luftën kundër korrupsionit.
“Me një kusht nëse pranohet amendamenti për luftë kundër korrupsionit. Ne e kemi propozuar një amendament kushtetues duke qenë në Qeveri, kemi thënë se më së pari vlen për funksionarët tanë dhe kishim dashur që njëherë e përgjithmonë të ngriten kriteret e luftës kundër korrupsionit në këtë vend sepse jemi lodhur të gjithë me ata që keqpërdorin fondet e qytetarëve. Mendoj se është koha e fundit që t’i japim fund kësaj”, tha Gashi në Programin 200, në Alsat.



