
Një jetë pa frena, shpesh tej gjithë limiteve, dhe tani beteja e përditshme kundër alkoolizmit. Në moshën 56-vjeçare, legjendari Paul Gascoigne rrëfehet në podcastin e High Performance.
“Isha një pijanec i lumtur. Nuk jam më! Tani jam një pijanec i trishtuar. Nuk dal për të pirë, pi në shtëpi“.
I konsideruar një nga mesfushorët më të mirë anglezë të të gjitha kohërave, me 57 prezenca në Kombëtare, Gascoigne ka veshur fanellat e Newcastle, Tottenham, Lazio dhe Rangers.
Në lidhje me veten thekson: “Njerëzit njohin Paul Gascoigne, po askush nuk njeh Gazzan. As unë nuk e njoh ndonjëherë... “.
Gascoigne tregoi se tani nuk ka një shtëpi dhe jeton në banesën e menaxheres së tij, Katie Davies. Dhe që ka rinisur të frekuentojë mbledhjet e Alkoolistëve Anonimë:
“Vazhdoj të luftoj kundër alkoolizmit, dhe jetoj në shtëpinë e agjentes sime. Nëse dua një ditë të keqe, e di se nëse shkoj në pab e tillë do të jetë.
Përndryshe marr kallamin dhe shkoj të peshkoj. Dhe kështu e di që do të jetë një ditë e mirë. Përpiqem të mos bie poshtë, pasi bota është poshtë tashmë.
Kur jam vërtetë poshtë, marr një pije për të ngritur moralin. Nuk besoj se kam zhgënjyer trajnerë, lojtarë apo tifozë. Nëse kam zhgënjyer dikë, është vetja ime“.
Gascoigne nuk i fsheh momentet e vështira që kalon për shkak ta abuzimeve me pijen, ves që e përsërit prej një jete.
“Nuk më duhet shumë për të qarë. Mbaj brenda shumë gjëra, gjëra që duhej t’i nxirja jashtë, por që kam frikë t’i ndaj me të tjerët. Nuk besoj se do të rritem ndonjëherë.
Dhe për këtë nuk më vjen keq. Jam krenar për atë që u kam dhënë njerëzve. Kam dhuruar thuajse një milionë paund për 10 institucione të ndryshme bamirësie.
Dhe nuk jam dorëzuar kurrë! Nuk do ta bëj asnjëherë: mendoj se momenti kur do të dorëzohem do të jetë kur të jem në arkivol“.



