
Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës nuk kanë arritur të gjejnë gjuhë të përbashkët për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit, gjatë një takimi të zhvilluar të hënën.
Pavarësisht diskutimeve mes dy palëve, nuk është arritur ndonjë marrëveshje konkrete që do të siguronte konsensus për kreun e ri të shtetit dhe zgjidhjen e ngërçit institucional.
Kryeministri Albin Kurti ka bërë të ditur se gjatë takimit është ofruar një paketë bashkëqeverisëse për LDK-në, e cila përfshinte poste të rëndësishme në ekzekutiv.
“Ne ofruam që LDK-ja në bashkëqeverisje me LVV-në dhe partnerët tjerë ta ketë zëvendëskryeministrin, Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe tri ministri të tjera. Kam preferuar që zëvendëskryeministër i imi të bëhet Abdixhiku dhe të fillojmë një kapitull të ri”, ka deklaruar Kurti.
Situata mbetet e paqartë, ndërsa zgjidhja e çështjes së presidentit duket ende larg konsensusit politik.
Anëtari i “Guxo”, Luan Gacaferi, ka bërë deklarata të forta ndaj kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, duke thënë se ai “nuk ka më autoritet në parti”.
Sipas tij, çdo marrëveshje e mundshme politike e Abdixhikut do të dështonte në Kuvend, pasi, siç thotë ai, një grup deputetësh nuk do ta mbështesnin, me qëllim që ta çojnë partinë drejt zgjedhjeve dhe një rezultati të dobët.
Gacaferi gjithashtu pretendon se brenda LDK-së ekziston një përplasje mes “gardës së vjetër” dhe udhëheqjes aktuale, duke sugjeruar se kjo situatë mund të çojë në ndryshime të mëdha në krye të partisë pas zgjedhjeve të ardhshme.
Abdixhikut nuk do i bëjë punë asnjë “Vjosë” sepse këta 4 deputetë (e që në realitet janë minimalisht 6 deputetë) do e sabotojnë nga brenda siç e sabotuan edhe më 28 dhjetor, vetëm që LDK të dalë me rezultat të keq, për ta hequr qafe dhe sigurt që nëse nuk mundën tani ta heqin, do ta heqin pas zgjedhjeve të radhës që po duken të pashmangshme!
Garda e vjetër me Lutën, Avdullahin, Hykmetën, Veliun, Zemajn dhe me Isën pas perdeve, do ia dalin të heqin qafe edhe Lumirin po edhe Vjosën nëse kjo e fundit i bashkohet Lumirit!”, deklaron ai pë “Bota sot”.



