KulturëLajmeRajon

Fotografi kosovar Ispahiu vazhdon të punojë në studion e tij në moshën 90-vjeçare

Fotografi kosovar Nesim Ispahiu edhe pse në moshën 90-vjeçare, vazhdon të punojë me përkushtim në studion e tij në një nga qytetet më të vjetra të Kosovës, në Vushtrri.

Ispahiu, i cili në mëngjes e hapë studion e fotografisë të cilën e drejton me të birin, në qendër të Vushtrrisë, kujdeset që të përmbushë plotësisht kërkesat e klientëve të tij, pavarësisht moshës së tij të shtyrë.

Ai realizon në mënyrë profesionale të gjitha fazat e fotografisë, duke filluar nga shkrepja e deri në transferimin e tyre në kompjuter, retushim, përpunim dhe printim, ndërsa për Anadolu rrëfeu vështirësitë e të bërit fotografi në periudha të ndryshme kohore, vlerën e fotografisë dhe jetën profesionale në studion e tij, ku ka të ekspozuara kamerat e shumta të cilat i përdori gjatë gjithë karrierës së tij të bujshme.

Duke u shprehur se ka rreth 80 vjet që merret me punën e tij, Ispahiu tha se “Qysh prej fëmijërisë kam nisë të punojë me xhaxhain i cili ka qenë fotograf dhe prej tij kam vazhduar unë deri tani me këtë zeje”.

Ispahiu vuri në dukje se me xhaxhain e tij shumë shpesh shkonin në Beograd, apo në vende tjera evropiane, për të blerë kamera ose filma të shtrenjtë për aparat fotografik dhe ndonjëherë klientëve të tij u duheshin pritje me javë, sepse duhej të pritej derisa filmi të jetë i mbushur.

– “Të gjithë bëjnë foto, por vlera e tyre nuk është aq e madhe sa fotot e bëra në të kaluarën”

Për fotografin më të vjetër në Kosovë, fotografia ishte më e vlefshme në epokën analoge.

“Vlerësimi i fotografisë ashtu siç ka qenë atëherë, nuk është më sot. Tani gjithkush e ka aparatin, telefonin në dorë, gjithkush fotografon, por, vlera e tyre nuk është sikur vlera e fotografive të mëhershme. Atëkohë çdo familje apo çdo person, ka pasur një portret ose një fotografi të paktën një herë në vit”, thekson ai.

Duke thënë se fotografitë që ai ka realizuar gjatë karrierës së tij përbëjnë arkivin vizual të qytetit të tij, Ispahiu tha:

“Shumica e fotografive që janë nga Vushtrria, unë i kam bërë shumicën e tyre. Dasmat, vdekjet, lindjet, krejt çfarë ka ndodhur unë i kam përcjellë me aparat, çka kemi mundur të fotografojmë. Ato fotografi që i kam realizuar unë, tani po i mbledh prej të tjerëve”, thekson fotografi.

Ispahiu thotë se edhe pse janë të paktë në numër, disa klientë të tij vazhdojnë edhe sot të bëjnë fotografi analoge dhe bardh e zi dhe në studion e tij vazhdojnë të ofrojnë shërbime të larjes së filmave.

Për të, fotografia gjithmonë ka luajtur një rol të rëndësishëm në jetën e njerëzve.

“Fotografia gjithmonë ka luajtur rolin e saj dhe sot e kësaj dite fotografia është pasqyra e një qyteti apo njeriu. Një porosi e kam, çdo kush le t’i ruan ato fotografitë e vjetra, ngase pas 20 vjetësh askush nuk e di çfarë do të bëhet”, shton fotografi kosovar.

Duke vënë në dukje se djali i tij tani drejton studion e fotografisë dhe se ky po mundohet ta mbështesë, Ispahiu shton se do të vazhdojë profesionin e tij për aq kohë sa t’ia lejojë shëndeti.

Related Articles

Back to top button
Close
Close