
Federata Ndërkombëtare e Futbollit (FIFA) ka konfirmuar ndalimin e rreptë dhe përfundimtar të flamurit pararevolucionar të Iranit për ndeshjet e Kampionatit Botëror 2026.
Ky vendim u ratifikua pas një seance dëgjimore urgjente të zhvilluar në Los Anxhelos, vetëm pak orë përpara ndeshjes hapëse të Iranit kundër Zelandës së Re në Inglewood të Kalifornisë.
Bëhet fjalë për flamurin historik që mban simbolin e luanit dhe të diellit, i cili përfaqëson regjimin e Shahut që u përmbys gjatë revolucionit të vitit 1979. Sipas prestigjozes The Athletic, çështja u rishqyrtua në çastet e fundit për shkak të presioneve, por gjykata dhe FIFA mbrojtën të njëjtin qëndrim: shfaqja e këtij simboli mbart karakter të pastër politik. Autoritetet argumentuan se lejimi i tij rrezikon mbarëvajtjen e rregullt të kompeticionit dhe cenon drejtpërdrejt sigurinë e tifozëve brenda impianteve sportive.
Nga ana tjetër, përfaqësuesit e komunitetit iranian dhe aktivistët mbrojtën idenë se fushat e futbollit duhet të jenë një hapësirë e lirisë së shprehjes dhe e respektimit të bindjeve. Megjithatë, FIFA nuk u tërhoq nga vendimi i saj radikal. Edhe pse pjesëmarrja e Iranit në këtë Botëror kaloi mes përbuzjeve dhe stuhive të shumta politike, kombëtarja e Lindjes së Mesme do t’i zhvillojë të gjitha ndeshjet e saj në territorin e Shteteve të Bashkuara.



