
Në konferencën për shënimin e Ditës Ndërkombëtare të Verifikimit të Fakteve, drejtoresha e grupit KOHA, Flaka Surroi, tha se për lajmet nga jashtë janë përpjekur të bëjnë një përzgjedhje të mediave nga të cilat marrin informacione. Për këtë ajo tha se janë shfrytëzuar mediat profesionale ndërkombëtare.
“Misioni ynë është ta informojmë publikun saktësisht për atë që ndodhë, mirë apo keq duhet ta dinë. Se si mund të ndikojmë në atë që të ndërrojmë mendësinë e popullatës sonë, e cila i qaset shumë shpesh Facebook-ut edhe portaleve për të marrë informata është diçka që shkon përtej televizioneve private apo publike”, ka thënë Surroi.
Drejtoresha e Kohës ka thënë se ndikim ka edukimi i popullatës për mënyrën se si duhet të merren informatat.
“Televizioni mund të flasë për një lajm të rremë, të elaborojë se nuk bën kështu, por nëse i drejtohet publikut dhe i thotë mos e lexo filan portalin menjëherë publiku në automatizëm do të kthehet dhe do të thotë e kanë në konkurrencë dhe për këtë arsye flasin keq ose mirë”, është shprehur ajo.
Organizuar nga Rrjeti Ballkanik për Gazetari Hulumtuese (BIRN) në partneritet me Internews Kosova dhe me FindBug, në Prishtinë të hënën u mbajt konferenca për shënimin e Ditës Ndërkombëtare të Verifikimit të Fakteve, me temën “Ballafaqimi me fakte: Si të kundërshtohen ndikimet e dëmshme nga jashtë”.



