
Finlanda, njëri prej vendeve të Europës me kufirin më të gjatë me Rusinë, nis sot një debat parlamentar me synimin të përshpejtojë përpjekjet për anëtarësim të NATO-s, duke rritur kështu gjasat që në këtë mënyrë, të lërë pas fqinjin dhe partneren e hershme ushtarake, Suedinë.
Rruga e anëtarësimit të Suedisë në aleancën më të madhe ushtarake të globit po pengohet nga Turqia. Të shqetësuara nga pushtimi i Ukrainës, Finlanda dhe Suedia hoqën dorë nga politikat e tyre disa dekadëshe të mos-angazhimit ushtarak dhe aplikuan për t’u bashkuar me Organizatën e Traktatit të Atlantikut të Veriut majin e vitit të kaluar.
Por teksa vetë përballet me shumë më pak pengesa diplomatike se Stokholmi, Helsinki duket se do të zgjedhë të ecë përpara, në një kohë kur edhe opinioni publik atje e mbështet hyrjen në aleancën ushtarake transatlantike.



