
Kandidati i pavarur për komunën e Kërçovës, Shkodran Alili, në Daily Click në TV21 tha se, Ali Ahmeti është çlirimtari i fundit i shqiptarëve që siç tha, beson se çdo shqiptar krenohet me figurën e tij. Alili tha se Ali Ahmetin e konsideron si figurën e Adem Jasharit dhe Isa Boletinit, por përveç tij, ai tha se Kërçova ka edhe figura të tjera kombëtare ku përmendi Beqir Limanin, për të cilin tha se duhet të krenohen kërçovarët.
“E njohim BDI-në, e njohim kryetarin Ali Ahmeti. Krenohemi, besoj se krenohet çdo shqiptarë për figurën e Ali Ahmetit. Ka qenë komandat i UÇK-së. Historia e tregon atë deri në 2001 se çfarë ka bërë për shqiptarët. Është çlirimtar i fundit i joni shqiptar, unë e kam thënë edhe në një dalje timen publike se është çlirimtari i fundit këtu në territorin e Maqedonisë. Figura e Ali Ahmetit, unë e konsideroj si figurën e Adem Jashari, si Isa Boletinit”.
–Po i thurni lëvdata, a është kjo si një kërkim mbështetje për kandidaturën tuaj?
-“Këtu duhet ta bëjmë dallimin, se pavarësisht se çfarë bindje apo pozite do të marri kryetari Ali Ahmeti, a do të na mbështesi apo jo, ai e di vetë atë dhe besoj se duhet të pyetet kryetari. Këtu ekziston suksesi i aktivitetit tonë, se ne krenohemi me figurat kombëtare, në anën tjetër kemi edhe një figurë tjetër kombëtare në qytetin e Kërçovës, e kemi edhe Beqir Limanin, që djali i tij është Fatmir Limani që me të vërtetë duhet të respektohet dhe të krenohemi ne si qytetarë të komunës së Kërçovës”.



