
Për herë të parë pas 22 viteve, RMV do të ketë në fuqi ligj, i cili përkthen parimin e përfaqësimit të drejtë të marrëveshjes kornizë të Ohrit, i transformuar në Kushtetutën e vendit në obligime dhe mekanizma, zbatimi për institucionet e vendit, thotë për TMV-2, zëvendëskryeministri për Qeverisje të mirë dhe Transparencë, Arben Fetai.
Sipas tij ligji për përfaqësim të drejtë është në fazën finale.
“Sa u përket punësimeve, dhe në ndërkohë nuk e kemi më mekanizmin e balancuesit, tanimë kemi në kuadër të koalicionit qeveritarë një shpërndarje sipas një marrëveshje politike e cila vlen në çdo kohë dhe në çdo institucion, dhe në nivel të përgjithshëm. Pra kemi ekipin kadrovik të koalicionit qeverisës, i cili agregon punësimet e reja në nivel vendi, dhe në bazë të marrëveshjes politike për shpërndarrjen e vendeve të punës sipas regjistrimit të fundit të popullsisë e bënë mbikqyrjen e punësimeve sipas marrëveshjes politike që kemi në kuadër të kualicionit qeveritar”, deklaroi Fetai.
Sipas Fetait, shfuqizimi i balancuesit ishte i dakorduar edhe nga ish-pushteti, pasi kishin konstatuar se po bëhen abuzime të shumta, dhe i njëjti nuk po arrinte qëllimet e veta, për të cilin ishte miratuar. /TVM2



