LajmeRajonTopLajm

Eskalon Daçiq pas votimit Pro anëtarësimit të Kosovës në KiE

Ivica Daçiq, Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Punëve të Jashtme i Serbisë që ishte zgjedhur në krye të ekipit të Qeverisë së Serbisë për të penguar anëtarësimin e Kosovës në KiE, ka deklaruar se sot është ditë turpi në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, pasi për herë të parë në histori është rekomanduar anëtarësimi i diçkaje që nuk është shtet dhe që, sipas tij, nuk  plotësojnë kërkesat themelore në fushën e të drejtave dhe lirive të njeriut.

“Me këtë vendim të imponuar nga forca e fuqive ndërkombëtare, ato cenuan vetë themelet e Këshillit të Evropës dhe rendin juridik ndërkombëtar. Për çfarë parimi të mbrojtjes së integritetit territorial do të vazhdojnë të flasin, kur e cenuan integritetin territorial të Serbisë?’, ka thënë Daçiq.

Daçiq tutje tha se Serbia do të vazhdojë luftën e saj me të gjitha forcat.

“Ne do të luftojmë që ai vendim të mos miratohet në Këshillin e Ministrave më 16 maj. Dhe do ta shohim vlerën e fjalës së bashkësisë ndërkombëtare që i dhanë presidentit Aleksandar Vuçiq se Kosova nuk do të pranohet në Këshillin e Evropës derisa të formohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe. Ose do të jetë përsëri një gënjeshtër”, ka thënë Daçiq.

Shumica e deputetëve të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës sot mbështeti anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë.

Pro anëtarësimit të Kosovës votuan 131 deputetë, kundër 29 dhe 11 abstenuan.

Asnjë nga amendamentet e propozuara nga Serbia kundër hyrjes së Kosovës në Këshillin e Evropës nuk u miratuan dhe si të tilla u hodhën poshtë.

Votimit i parapriu një debat që zgjati më shumë se dy orë. Shumica e deputetëve që morën fjalën e mbështetën anëtarësimin e Kosovës. Serbia e kundërshtoi anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë.

Çështja tash kalon në duart e ministrave të Jashtëm të Këshillit të Evropës, të cilët do të vendosin në muajin maj nëse Kosova do të bëhet anëtarja e 47-të e organizatës.

Takimi i radhës i Këshillit të Ministrave do të zhvillohet në mesin e muajit maj. Këshilli i Ministrave të Jashtëm në Këshillin e Evropës takohet një herë në vit, tradicionalisht në muajin maj.

Related Articles

Back to top button
Close
Close