LajmeRajon

​Eksperti i kriminalistikës në Holandë nis dëshminë në rastin “Thaçi 2”

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë ka nisur dëgjimi i dëshmitarit të dytë në gjyqin kundër “Administrimit të Drejtësisë”, raporton KosovaPress.

Prokuroria ka nisur me pyetjet për dëshmitarin holandez, Koen Herlaar, i cili është ekspert i kriminalistikës në Institutin e Kriminalistikës së Holandës.

Fillimisht, ai tha se ky Institut është agjenci pranë Ministrisë së Sigurisë dhe Drejtësisë. Tutje, ky dëshmitar i ZPS-së tha në këtë Institut ekzaminojnë “prova për gjykatësit, partnerët, drejtësinë penale sipas rasteve”. Ai tha se punon në këtë institut prej shkurtit të vitit 2009.

Dëshmia e këtij dëshmitari pjesërisht do të jetë konfidenciale, për çka gjyqtari kërkoi nga palët që të kalohet në seancë private kur është e nevojshme.

Bashkim Smakaj, Isni Kilaj dhe Fadil Fazliu, u bë e ditur se kishin kërkuar që të ndryshohen kushtet e lirimit të tyre. Por, kjo çështje nuk u elaborua më tej, veçse nga prokuroria u kërkua që parashtrimet e saj t’i paraqes më vonë.

Hashim Thaçi, Bashkim Smakaj, Isni Kilaj, Fadil Fazliu dhe Hajredin Kuçi, të cilët akuzohen për pengim të drejtësisë, janë deklaruar të pafajshëm para trupit gjykues.

Prokuroria pretendon se posedon dëshmi, përfshirë audio-incizime nga Qendra e Paraburgimit në Hagë.

Edhe avokatët mbrojtës kanë kundërshtuar këto pretendime, ku kanë thënë se provat e Prokurorisë nuk dëshmojnë kryerjen e veprave penale për çka akuzohen.

Hashim Thaçi dhe të tjerët akuzohen nën pretendimet se gjatë vizitave më 2023 në Hagë, të njëjtit i kanë dhënë udhëzime dhe informacione konfidenciale dëshmitarëve për gjyqin për krime lufte.

Related Articles

Back to top button
Close
Close