LajmeOpinion

Ekspertët kërkojnë që Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës të bëjnë më shumë presion ndaj Serbisë për zbatimin e marrëveshjes së Brukselit dhe Ohrit

Rezultatet e vizitës të përfaqësuesit të posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, gjatë kësaj jave në Prishtinë dhe Beograd, nga analistët politikë vlerësohen se do të jenë minimale në dialog. Sipas tyre, pranimi nga Lajçak se ka pak përparim në normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, tregon se procesi i dialogut ka hyrë në një krizë të re, veçmas, siç thonë kur pas pesë muajsh do të mbahen zgjedhjet e reja në Bashkimin Evropian. Sipas analistëve dialogu do të ketë shumë paqartësi më të mëdha nëse në BE, fiton e djathta ekstreme, ndërkaq në SHBA, Donald Trump.

“Të gjitha shtetet e rajonit varen nga normalizimi i raporteve mes Kosovës dhe Serbisë. Edhe Bosnja, Shqipëria, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut. Për këtë arsye ndikimi i kësaj marrëveshje historike do të jetë i jashtëzakonshme dhe për këtë shkak i kemi këto insistime shumë të mëdha, veçanërisht në këtë kohë kur janë dy kriza globale në Ukrainë dhe Izrael. Ideja është pak e pakuptueshme pse ka kaq ngurrim, veçanërisht nga kryeministri Kurti, kur nëse nuk realizohet tash marrëveshje, me siguri do të ketë shumë paqartësi në fund të vitit. Do të jetë krejtësisht ndryshe nëse fiton Trump në ShBA dhe nëse fiton e djathta në Evropë do të ndryshohet krejtësisht konteksti”, tha Artan Muhaxheri, analist politik.

“Nëse presim që Kosova dhe Serbia të pajtohen shpejt për një marrëveshje që do të ishte shprehje e vullnetit politik të tyre, atëherë kjo do të zgjasë pambarimisht. Serbia është e interesuar që të vonojë procesin e konsolidimit të shtetit të Kosovës dhe natyrisht që gjëja me rëndësishme është që të pengojë anëtarësimin e Kosovës në mekanizma ndërkombëtarë. Një ndër to është Këshilli i Evropës, por edhe mekanizma të tjerë si Bashkimi Evropian dhe NATO. Natyrisht për aq kohë sa Serbia e ka këtë qasje, kërkohet nga Kosova që të gjejë një rrugë tjetër për të forcuar dhe konsoliduar shtetësinë e saj”, theksoi Dorajet Imeri, analist politik.

Lajçak gjatë kësaj jave qëndroi në Kosovë dhe Serbi. Pas takimit me kryeministrin Albin Kurti, tha se ka pak përparim në normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, derisa bëri të ditur se blloku evropian do të marrë një vendim se çfarë hapash do të ndërmarrin në procesin e dialogut.

Related Articles

Back to top button
Close
Close