
Grupi parlamentar i VMRO-DPMNE-së ka tërhequr amendamentet ndaj Ligjit për Shtetësi dhe kanë ftuar Aleancën për Shqiptarët dhe Alternativën që t’i tërheqin edhe amendamentet nga pakoja e pestë ekonomike. Vendimi të cilin e kumtoi kordinatori Nikolla Micevski, erdhi pas deklaratës së djeshme të kryetarit të Alternativës, Afrim Gashi, se kusht për tërheqjen e amendamenteve të tyre është që VMRO-DPMNE të tërheqë amendamentet e para.
Nikolla Micevski
“Me këtë rast, ne si deputetë të VMRO-DPMNE-së dhe koalicionit, në tërësi e dënojmë inzhinjeringun e Zaevit dhe LSDM-së. Të vetëdijshëm për mungesën e vullnetit të sinqertë për zgjidhje të shpejtë, por edhe për momentin kritik në të cilin ndodhet Maqedonia, qytetarët dhe sipërmarësia, do ti tërheqim të gjithë amendamentee Ligjit për shtetësi me qëllim që përfundimisht të votohet pakoja e pestë e masave për ndihmë të qytetarëve dhe kompanive. Edhe në momente të këtilla kur mbi 55 mijë qytetarë mbetën pa punë dhe mezi kalojnë muajin, kur ekonomia maqedonase është gjunjëzuar dhe mijëra kompani janë mbyllur, Zaev dhe LSDM pa ju dridhur syri po dëshmojnë papërgjegjësi dhe moskujdes për qytetarët”
Deputeti i Koalicionit Aleanca për Shqiptarët-Alternativa, Elmi Aziri, sot në Kuvend ka thënë se opozita shqiptare është e gatshme që sot t’i tërheq amendamentet nga Komisioni për Financa dhe Buxhet, për t’i hapur rrugë miratimit të pakos së pestë ekonomike.
Elmi Aziri
“Që nga fillimi i këtij debati ne kemi deklaruar se të gjithë qytetarët duhet të trajtohen njësoj. Edhe kryetarët tanë në takimet me gazetarët që e patëm së fundmi deklaruam se në momentin që tërhiqet bllokada për Ligjin për Shtetësi në Komisionin Parlamentar për Mbrojtje dhe Siguri, të njëjtën do ta bëjmë edhe ne për pakon e pestë ekonomike në Komisionin për Financa dhe Buxhet. Pra, qëndrojmë konform asaj që e kemi deklaruar në kuadër të debatit për Ligjin për Shtetësi. Ne shpresojmë që ajo do të ndodh sot dhe natyrisht edhe veprimi ynë i debllokimit do të ndodh sot”
Kujtojmë që dje, u arrit përparim i theksuar në takimin mes kryeministrit Zoran Zaev dhe liderëve të dy partive opozitare shqiptare, Ziadin Sela dhe Afrim Gashi. Pas takimit u njoftua se janë gjetur zgjidhje për Ligjin e Shtetësisë dhe se deri në fundjavë do të jetë gati teksti për miratim në Kuvend.
Arben Zeqiri /SHENJA/



