LajmeMaqedoniOpinionTopLajm

Edhe buka po bëhet luks!

Furrtarët thonë se në mungesë të mbështetjes shtetërore për energjenset, si një nga faktorët kryesore të prodhimit, ato ballafaqohen ose me rritjen e çmimeve të bukës apo me mbylljen e bizneseve. Në dyqanet e ndryshme nëpër vend, çmimet e bukës lëvizin prej 40 deri 100 denarë në varësi të llojit të bukës apo miellit nga i cili përgatitet buka, ndërkohë që një bukë-tost prej 350 gram ka arritur në 54 denarë, ndërsa buka speciale e thekrës prej 500 gram ka arritur në 59 denarë

Fisnik PASHOLLI

Shkup, 10 gusht – Çmimi i bukës në Maqedoni po arrin çmimet rekord. Çmimet e artikullit kryesor ushqimor kanë arritur në afër 50 denarë. Në dyqanet e ndryshme nëpër vend, çmimet e bukës lëvizin prej 40 deri 100 denarë në varësi të llojit të bukës apo miellit nga i cili përgatitet buka. Njëherësh edhe në dyqanet me çmime më të volitshme, një bukë tost prej 350 gram ka arritur në 54 denarë, ndërsa buka speciale e thekrës prej 500 gram ka arritur në 59 denarë. Furrtarët thonë se në mungesë të mbështetjes shtetërore për energjenset si një nga faktorët kryesore të prodhimit, ato ballafaqohen ose me rritjen e çmimeve të bukës apo me mbylljen e bizneseve. Në rast se do të ketë rritje të mëtejshme të rrymës dhe gazit, ato thonë se mund të pritet shtrenjtim i sërishëm i bukës.

“Shkaqet e shtrenjtimeve dihen dhe ato janë çmimi më i lartë shitblerës i grurit të bukës, çmimet e dyfishuara të energjenseve, si dhe hyrja e më shumë furrave të vogla në bllokun e katërt apo më të shtrenjtë të tarifave të reja të rrymës, që më parë ishin në kategorinë e amvisërive që ju është rritur rryma prej 2 në 11 denarë. Andaj edhe të gjitha këto harxhime edhe kanë shtrenjtuar bukën”, thotë Goran Malishiq, nga Shoqata e mullisëve dhe furrtarëve.

Në ndërkohë nga dikasteri i Ekonomisë kanë paralajmëruar se sërish do të shpallet krizë energjetike përgjatë këtij muaji, ndërsa pritet që të zbardhen masat me të cilat do të ndihmohen kompanitë lidhur me rritjen e madhe të çmimeve të rrymës dhe gazit.

Nga ana tjetër, edhe fermerët presin para korrjes çmim më të lartë të blerjes së rendimenteve së tyre, sepse kishin edhe kosto më të larta të prodhimit. Rritja e kostos së prodhimtarisë bujqësore dhe shtrenjtimi i naftës do të shtrenjtojë edhe prodhimet e ndryshme bujqësore përfshi edhe drithërat. Këtë e tregon edhe rritja nga 12 denarë që kërkohej për çmimin grumbullues të grurit në vitet e kaluara në 22 denarë që kërkohet sivjet për shitblerjen e grurit. Nga Industria e Mullisëve thonë se po rriten çmimet e rrymës dhe naftës, po ju rriten harxhimet e përditshme, ndërsa edhe fermerët po kërkojnë çmime më të larta të grumbullimit të grurit si rrjedhojë e rritjes së harxhimeve, andaj edhe mendojnë për çmime më të larta të miellit dhe bukës.

Në ndërkohë vlerësohet se sivjet do të kemi mbi 255 mijë tonë grurë vendor, ndërsa pjesa tjetër do të importohet nga jashtë. Në periudhën 2007-2018, grumbullimi i grurit merkantil, apo grurit tregtar shënon trend të rënies së vazhdueshme, ndërsa po shënohet rritje e importit. Njëherësh, në këtë periudhë importi i grurit merkantil dhe miellit në mesatare ka qenë 110.130 ton, që paraqet 32 për qind të nevojave të industrisë së miellit, tregojnë analizat e Odës ekonomike të Maqedonisë. Një e treta e nevojave për miell dhe grurë importohen nga jashtë, duke marrë parasysh se edhe gruri vendor nuk është në tërësi cilësor për prodhimin e bukës, apo nuk mund të shfrytëzohet nga industria vendore e miellit dhe prodhimit të bukës. (koha.mk)

Related Articles

Back to top button
Close
Close