
Kryeministri Edi Rama i është rikthyer rubrikës së tij virtuale me qytetarët, “Sy m’sy”.
Këtë komunikim, e nisi pikërisht me aksionin më të fundit, që ka të bëjë me lirimin e hapësirave publike. I pyetur se pse urdhëroi marrjen e masave të tilla, pas zgjedhjeve të 11 majit, kreu i qeverisë u përgjigj duke argumentuar se problematikat i ka hasur pikërisht gjatë fushatës në kryeqytet.
Më tej, ai vuri theksin te fakti që prej disa muajsh tanimë, Tirana është praktikisht pa drejtues.
“Kemi riorganizuar tërësisht veten, duke vënë deputetët në një pozicion edhe më kërkues sa i përket për të identifikuar problemet në territoret e kujdestarisë së tyre.”
Tha se kërkesa nga të katër anët e komunitetit ka qenë, lirimi i hapësirave publike.
“Nuk merret qeveria me karrige e tavolina, jemi në kushtet e një mobilizimi për t’iu dhënë një përgjigje qytetarëve për asfiksimin e hapësirave publike si pasojë e barrikadave, vazove, luleve, ngrehinave metalike”, shtoi kryeministri.



