
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka deklaruar se e paralajmëroi kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu se Izraeli rrezikonte të mbetej i vetëm përballë Iranit nëse do të vazhdonte përshkallëzimin e konfliktit.
Sipas tij, gjatë një telefonate me Netanyahun të dielën në mbrëmje, ai i kërkoi liderit izraelit të mos i përgjigjej sulmeve me raketa balistike të Iranit. Megjithatë, biseda përfundoi pa një marrëveshje të qartë.
Megjithatë, pas telefonatës, Netanyahu zhvilloi konsultime me drejtuesit e sigurisë izraelite dhe më pas informoi Sekretarin amerikan të Shtetit, Marco Rubio, se kishte vendosur të vijonte me sulmet ndaj Iranit.
Trump deklaroi gjithashtu se pesë vende të rajonit, të angazhuara në përpjekjet ndërmjetësuese mes Uashingtonit dhe Teheranit, i kanë kërkuar të ushtrojë presion mbi Izraelin për të ndalur sulmet dhe për t’i dhënë përparësi diplomacisë.
Sipas presidentit amerikan, zyrtarët iranianë kontaktuan SHBA-në të hënën në mëngjes dhe njoftuan se nuk do të kryenin sulme të tjera ndaj Izraelit, duke kërkuar në këmbim ndalimin e operacioneve izraelite. Trump tha se pas këtij mesazhi ai kontaktoi sërish Netanyahun dhe e bindi të pranonte ndërprerjen e sulmeve të mëtejshme.
Në fund, Trump ritheksoi bindjen e tij se një marrëveshje mes SHBA-së dhe Iranit mbetet e mundur dhe se Teherani është i gatshëm ta nënshkruajë atë. Ai deklaroi se një marrëveshje mund të arrihet “brenda pak ditësh”, një vlerësim që e ka përsëritur vazhdimisht gjatë javëve të fundit.



