
E ardhmja e Armando Brojës mund të jetë në Serinë A. Në orët e fundit në median italiane po qarkullon lajmi se sulmuesi i kombëtares shqiptare është vënë në shënjestrën e Cagliarit për të përforcuar repartin e sulmit
Lajmi bëhet i ditur nga gazetari i specializuar i merkatos, Gianluca di Marzio sipas të cilit, Broja që aktualisht është në radhët e Burnley pëlqehet shumë te Cagliari pikërisht për karakteristikat fizike dhe teknike që konsiderohen ideale për lojën e skuadrës sarde që në javët e ardhshme pritet të bëjë ofensivën vendimtare për të.
Transferimi i Brojës te Cagliari duket se është një bast i vërtetë për klubin sard duke parë edhe statistikat e sulmuesit. Në sezonin e tij te Burnley, Broja ka shënuar 1 gol e ka dhënë 1 asist në 24 ndeshje, shumë pak për një sulmues si ai. Por një kalim i mundshëm i tij te klubi sard mund të rezultojë një lëvizje e goditur për sulmuesin shqiptar pasi Cagliari është i bindur se mund ta rilindë Armando Brojën dhe të kthejë atë në futbollistin që kemi njohur të gjithë dikur.



