Kosova të premten nuk hyri në agjendën e Komitetit të Ministrave për anëtarësim në Këshill të Evropës, ndonëse javë më parë Asambleja Parlamentare e këtij institucioni kishte votuar pro aderimit.
Javët e fundit Gjermania, Franca dhe Italia kushtëzuan anëtarësimin e Kosovës në Këshill të Evropës me “hapa konkret” për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, gjë që vështirësoi procesin.
Reagime pati edhe nga radhët e opozitës.
Osmani: Kosova do të jetë anëtarja e 47-të e Këshillit të Evropës, është vetëm çështje kohe
Pavarësisht se më 17 maj Kosova nuk hyri në agjendë, presidentja e vendit, Vjosa Osmani mbetet optimiste.
Ajo tha se Republika e Kosovës do të jetë anëtarja e 47-të e Këshillit të Evropës dhe kjo është vetëm çështje kohe.
“Është thjesht çështje kohe. Në këtë rrugë, ne nuk bëjmë kompromis me vlerat që përbëjnë themelin e vendit tonë. Pasi të jemi atje, ne do të vazhdojmë të qëndrojmë ‘prapa shtyllave’ që përcaktojnë Këshillin e Evropës: të drejtat e njeriut, demokracia dhe shteti i së drejtës. Ne nuk do të shërbejmë si dorë e zgjatur e Rusisë apo si model i sjelljes autokratike”, shkruan Osmani.
Presidentja e vendit tha se u janë mirënjohës të gjitha vendeve që kanë mbështetur Kosovën deri tani.
“Së bashku, ne do të punojmë për ta bërë realitet këtë fitore të të drejtave të njeriut…”, shkruan ajo.
Kosova nuk hyri në agjendë, arsyetohet ministrja Gërvalla: Letrës me ofertën për draft-statutin e Asociacionit i ka humbur relevanca
E në ditën kur Kosova nuk hyri në agjendë të Komitetit të Ministrave, ministrja e Punëve të Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla tha se në ministerialin e Këshillit të Evropës kishte intervenime nga shtete të ndryshme anëtare të cilat kërkuan anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.
“Megjithëse ishte dita kur do të duhej të votohej anëtarësimi ynë në këtë organizatë dhe në këtë formë të dërgohej një mesazh i fuqishëm për të drejtat e njeriut, demokracinë dhe sundimin e ligjit në 75-vjetorin e themelimit të Këshillit të Evropës dhe në vigjilje të 25-vjetorit të çlirimit të Kosovës, ministrat e punëve të jashtme të vendeve anëtare nuk e futën në agjendën e sotme dhe nuk morën vendim për thirrjen e një mbledhje të jashtëzakonshme për anëtarësimin pa vonesë të Republikës së Kosovës”, shkruan ajo.
Sipas saj, ky qëndrim është në shpërputhje me thirrjen e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, e cila në Opinionin e saj tha se Kosova duhet të anëtarësohet, pa parakushte shtesë.