
Pas ankesave nga drejtuesve të hoteleve në Kodrën e Diellit se parapërgatitjet për sezonin e ri ende nuk kanë filluar, kreu i komunës së Tetovës Bilall Kasami, sot u shpreh se deri në fund të javës, do të ketë drejtor të ri në Kodrën e Diellit dhe do fillojnë përgatitjet intensive për sezonin dimëror.
Kasami tha se në bashkëpunim edhe me ndërmarrjen e “Rrugëve” si dhe komunën, do të bëhen edhe riparimet e disa gropave dhe kanalizimit, me qëllim që sezoni turistik të jetë i mbarë.
“Kësaj jave do kemi edhe drejtorin e Ndërmarrjes për Kodrën e Diellit, pra Qendrës Turistike të Kodrës së Diellit dhe do fillojnë edhe parapërgatitjet për sezonin”, u shpreh Kasami.
Kasami paralajmëroi hapjen e rrugës përmes qarkores në fshatin Lisec, me qëllim lehtësimin e lëvizjes.
“Këtë vit pritet edhe depërtimi i qarkores nëse do na shërbejnë kushtet klimatike, që të mund të shfrytëzohet si rrugë alternative për qasje deri në kodër të Diellit”, theksoi Kasami.
Në Kodrën e Diellit do të ketë hetime lidhur me dëmtimet që dyshohet se janë bërë qëllimisht në teleferikun me gjashtë ulëse për të penguar nisjen në kohë të sezonit dimëror.



