
Lionel Messi ka bërë hapa përpara në rikuperimin e tij dhe mund të marrë minuta në ndeshjet miqësore të Argjentinës në prag të Kupës së Botës, ka deklaruar trajneri Lionel Scaloni.
Sipas teknikut të Argjentinës, kapiteni i kampionëve të botës është rikthyer pjesërisht në stërvitje me grupin dhe nuk është më i izoluar nga pjesa tjetër e skuadrës.
“Leo është mirë, ka filluar të stërvitet pjesërisht me ekipin, nuk është më plotësisht jashtë grupit. Është e mundur që të luajë disa minuta në ndeshjet miqësore. Do të shohim nëse do të jetë në ndeshjen e nesërme apo në atë të pasnesërmes. Është shumë më mirë dhe kjo na qetëson”, u shpreh Scaloni.
Argjentina, kampione në fuqi e botës, do të përballet me Hondurasin në College Station të Teksasit të shtunën, ndërsa më pas do të luajë ndaj Islandës në Auburn, Alabama.
Ndërkohë, stafi mjekësor i përfaqësueses argjentinase po vijon monitorimin e gjendjes së yllit të Inter Miami-t, i cili pësoi një dëmtim në tendinën e Akilit të këmbës së majtë në ndeshjen e fundit me klubin e tij.
Fillimisht, Messi nuk ishte parashikuar të luante në miqësoren ndaj Hondurasit për shkak të gjendjes fizike, por përmirësimi i fundit ka rritur optimizmin për rikthimin e tij gradual në fushë.



