
Agron Demiri nga LSDM tha në press konferencë se BDI duhet të dal nga filmi nacionalist dhe se nuk vlejnë akuzat se LSDM është në shërbim të VMRO-DPMNE-së.
Demiri tha se politika e BDI-së nxit urrejtje ndëretnike.
“BDI-ja duhet më në fund të dalë nga filmi nacionalist, duke nxitur tensione dhe ndasi etnike mes qytetarëve.
Deklaratat dhe veprimet e tilla janë tërësisht të papranueshme dhe të papërshtatshme për shoqërinë tonë multietnike dhe demokratike.
BDI-ja duhet të kuptojë se qytetarët e Republikës së Maqedonisë së Veriut, pavarësisht përkatësisë së tyre etnike, dëshirojnë paqe, stabilitet dhe marrëdhënie të mira ndëretnike. LSDM-ja është forca e vetme politike që sinqerisht angazhohet për bashkëjetesë dhe respektimin e të drejtave të të gjitha komuniteteve etnike.
Kur BDI-ja akuzon LSDM-në për albanofobi, harron me qëllim se në Këshillin Ekzekutiv të LSDM-së ka anëtarë shqiptarë. Gjithashtu, kemi shqiptarë edhe në grupin parlamentar të LSDM-së, dhe një numër i konsiderueshëm shqiptarësh votojnë për partinë tonë.
Kjo, sepse ata e njohin sinqeritetin dhe përkushtimin ndaj të mirës së të gjithë qytetarëve, por edhe ndaj marrëdhënieve të mira ndëretnike.
Me politikat e tyre të papërgjegjshme, BDI-ja i mundëson VMRO-DPMNE-së të destabilizojë më tej situatën dhe të përfitojë politikisht. Bashkëpunimi i tyre është më shumë se i dukshëm – votojnë bashkërisht në Kuvend, BDI-ja u siguron shumicë sipas parimit të Badenterit, dhe deri te skandalet e fundit, si kalimi i lirë i Artan Grubit përtej kufirit, janë dëshmi të qarta për këtë.
LSDM-ja me konceptin “Një shoqëri për të gjithë” ka vendosur një bazë të fortë për ndërtimin e një shoqërie të bashkuar dhe tolerante. Ky vizion është pranuar gjerësisht nga qytetarët, të cilët e njohin rëndësinë e unitetit dhe barazisë për stabilitetin dhe të ardhmen e vendit tonë. Ky koncept mbetet një shembull i qartë i përkushtimit tonë për harmoni ndëretnike.



