
Tash e një vit vendi vazhdon të mbetet pa kryeprokuror të shtetit, pozitë kjo që po vlerësohet jetike për luftimin e veprave të ndryshme penale në Kosovë, raporton Gazeta Blic.
Një emër që ka dërguar Këshilli Prokurorial i Kosovës ka mbetur në sirtarët e të parës së shtetit Vjosa Osmani, e cili nuk ka marrë asnjë vendim për dekretimin e kryeprokurorit të shtetit, këtë rast kandidatit të që dërguar KPK-ja në Presidencë, Blerim Isufaj.
Kemi hyrë në javën e parë të muajit maj, dhe ende nuk ka asnjë vendim, pavarësisht se nga presidenca ditë më parë kanë thënë se kjo
çështje do të marr epilog në fund të muajit prill.
Gazeta Blic ka kërkuar një përgjigje nga zyra për media e presidentes por që si në shumicën e rasteve ata nuk kanë kthyer përgjigje
“KPK-ja, pas letrave të shkëmbyera me Zyrën e Presidentes të Republikës së Kosovës lidhur me dekretimin e z. Blerim Isufaj në pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit, pret që Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, si garantuese e funksionimit të institucioneve të vendit, të bëjë dekretimin e Kryeprokurorit të ri të Shtetit, në mënyrë që të ketë funksionalitet të plotë dhe të sigurohet zbatimi i Kushtetutës së Republikës së Kosovës”, thonë nga Këshilli Prokurorial për Gazeta Blic.
Sipas tyre kërkesa që Blerim Isufaj të dekretohet në pozitën e kryeprokurorit të shtetit është legjitime.
“Kërkesa e Këshillit Prokurorial të Kosovës për dekretimin e z.Blerim Isufaj në krye të institucionit të Prokurorit të Shtetit është legjitime, si dhe ka për qëllim krijimin e mundësisë për mirëfunksionimin e Prokurorit të Shtetit, ngaqë vendit i nevojitet Kryeprokurori i Shtetit me mandat dhe fuqi kushtetuese dhe ligjore”, vlerëson KPK-ja.
Por bazuar në diskursin që tre liderët e institucioneve të Kosovës, Vjosa Osmani, Glauk Konjufca dhe Albin Kurti, kanë përdorur ndaj kandidatit për kryeprokuror të shtetit, zor se Blerim Isufaj mund të emërohet në këtë pozitë.
Gjuhë fyese, akuzuese e linçuese kanë përdorur i madh e i vogël në Lëvizjen Vetëvendosje, kundër Blerim Isufajt, nisur nga rasti i fundit ku ishte arrestuar kryefshefi i KEK Nagip Krasniqi.
Për të gjitha këto kishte reaguar KPK-ja, shoqëria civile, partitë opozitare dhe të tjerë.



