LajmeRajonTopLajm

Deklarata e Hovenier dhe reagimi i DASH, SHBA-ja paralajmëron pasoja e druhet për tensione në rast të zbatimit të vendimit për dinarin

Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier, por edhe Departamenti Amerikan i Shtetit gjatë ditës së djeshme e bënë të qartë se kundërshtojmë planet aktuale të Kosovës për të vazhduar me zbatimin e vendimit për kufizimin dinarit serb.

Hovenier pas një takimi që kishte me kryeministrin e vendit, Albin Kurti tha se SHBA-ja është e shqetësuar se rregullorja, e cila i jep fund përdorimit të dinarit serb në vend, mund të nxisë tensione etnike në vend, shkruan gazeta online Reporteri.net.

“Dua ta përsëris çka kanë thënë Shtetet e Bashkuara, ne kemi shqetësime të thella dhe rezerva për zbatimin e saj para se ajo të jetë plotësisht e përgatitur. Mund ta them me siguri se ne e kundërshtojnë atë tani”, tha Hovenier.

“Ne jemi të shqetësuar se rregullorja, ashtu siç e kuptojnë ne, nuk e merr parasysh plotësisht ndikimin që do të ketë tek individët, posaçërisht individët që marrin mbështetje financiare nga Qeveria serbe. Ne mendojmë se kjo çështje meriton shqyrtim më të kujdesshëm dhe diskutime në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja. Jemi të shqetësuar se ka mundësi ti përshkallëzojë tensionet etnike dhe të jetë problematike për jetën e përditshme e një numri të qytetarëve të Kosovës”, shtoi ai.

Në një deklaratë të mëvonshme nga Departamenti amerikan i Shtetit, SHBA-ja tha se vendimi “i njëanshëm” i Kosovës për ta zbatuar një rregullore të Bankës Qendrore të Kosovës – e cila përcakton që vetëm valuta euro të përdoret për pagesa me para të gatshme në gjithë vendin – ia kufizon mundësitë SHBA-së për të avokuar për Kosovën në arenën ndërkombëtare.

Departamenti amerikan i Shtetit tha se është thellësisht i zhgënjyer me planet aktuale të Kosovës për të vazhduar me zbatimin e vendimit.

“Ne bëjmë thirrje sërish që zbatimi i këtij vendimi të shtyhet menjëherë derisa të vendosen procedura të kënaqshme në përputhje me standardet evropiane dhe popullata të jetë edukuar mjaftueshëm se si do të vazhdojë periudha kalimtare. Vendimi u shpall pa përgatitje apo konsultim adekuat”, thuhet në një përgjigje të Departamentit amerikan të Shtetit për Zërin e Amerikës.

DASH tha se ka kërkuar nga autoritetet në Kosovë të shpjegojnë se çfarë problemi urgjent synon të zgjidhë kjo rregullore dhe nëse nevojitet urgjenca.

“Nuk kemi dëgjuar asnjë përgjigje të përshtatshme. Shumë qytetarë të Kosovës tani nuk e dinë se si do t’i paguajnë faturat apo do t’i marrin pensionet. Ky veprim nuk është gjithashtu në përputhje me përkushtimin e Kosovës për të punuar përmes Dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian për të adresuar çështjet që ndikojnë në mirëqenien e komunitetit të pakicës serbe”, thuhet në përgjigjen e Departamentit amerikan të Shtetit duke nënvizuar se qeverisja e mirë dhe partneriteti i mirë ndërkombëtar kërkojnë kohë për të vlerësuar pasojat, për të dëgjuar perspektivat dhe për t’u konsultuar me të tjerët për një zgjidhje të zbatueshme.

“Pasoja e këtij dhe veprimeve të ngjashme të njëanshme i kufizon mundësitë e Shteteve të Bashkuara si avokate e Kosovës në arenën ndërkombëtare”, u tha në përgjigje.

Related Articles

Back to top button
Close
Close