LajmeMaqedoniTopLajm

“Debat mjekësh” – Osmani dhe Taravari për herë të parë në duel televiziv: Kërkojmë votat e të gjithë qytetarëve

Kandidatët shqiptarë për president të Maqedonisë së Veriut, Arben Taravari dhe Bujar Osmani, sot janë përballur për herë të parë në debat televiziv.

Në TV21 ata folën për shumë çështje, si dhe prezantuan programet e tyre parazgjedhore.

Kandidati i “Frontit Europian” Bujar Osmani tha se nëse zgjidhet president, angazhimi i tij kryesor do të jetë që ta ndryshojë rolin e presidentit në vend, duke e bërë atë busullë kryesore e orientimit gjeostrategjik të vendit.

Taravari tha se nëse zgjidhet president do të angazhohet edhe për sigurinë dhe demokracinë në vend.

Të pyetur për përparësitë që kanë ndaj njëri-tjetrit, Bujar Osmani përmendi pozitat e ndryshme që i ka pasur në qeveri si ministër dhe udhëheqës i OSBE-së, ndërsa Arben Taravari theksoi suksesin e tij në udhëheqjen e Ministrisë së Shëndetësisë për 100 ditë, si dhe menaxhimin me Komunën e Gostivarit.

Osmani dhe Taravari patën replika ndaj njëri-tjetrit në lidhje me atë se kush duhet ta sjellë ndryshimin, si dhe (keq)qeverisjet që i kanë pasur partitë e tyre. Ata u pyetën nëse si kandidatë për president të vendit do të kërkojnë vetëm votat shqiptare, Osmani tha se është kandidat i partive të disa përkatësive etnike në vend, duke shtuar se do të kërkojë votat e gjithë qytetarëve. Ndërsa këtë gjithashtu e tha Arben Taravari.

Ndërsa në lidhje me zgjedhjen e presidentit në Kuvend ata të dy u shprehën pro kësaj ideje.

Bujar Osmani tha se kjo ide është e BDI-së që nga viti 2006 dhe se propozojnë që presidenti i ardhshëm të zgjidhet me 2/3 e votave në Kuvend.

“Nuk është temë e re. BDI këtë temë e shtroi që në 2006-tën. Në këto zgjedhje, ne menduam se duhet të jetë një autoritet i cili do të jetë zëri i arsyes ose kreatori i konsensusit shtetëror. Zgjedhjet e drejtpërdrejta janë më kompatibile me sistemet presidenciale shtetërore të rendit kushtetues. Kjo mënyrë e drejtpërdrejtë e zgjedhjes së presidentit, ka qenë burim i polarizimit dhe eskalimit shtesë, edhe brenda-maqedonas, edhe ndëretnik. Ne mendojmë, se është mënyra më e mirë për të krijuar një konsensus shtetëror dhe propozoj që të zgjidhet me 2/3 dhe me shumicë të dyfishtë, që edhe të deeskalojë situata brenda kampusit maqedonas edhe brenda kampusit shqiptar”, tha Osmani.

Ndërsa Taravari propozon që presidenti të zgjidhet në Kuvend, po kjo formë të dallojë në votim nga propozimi i Frontit Evropian.

Theksojmë që rrethi i parë i zgjedhjeve presidenciale do të mbahet më 24 prill, ndërsa në rast se nuk zgjidhet presidenti në këtë rreth, më 8 maj do të mbahen zgjedhjet e balotazhit.

 

Related Articles

Back to top button
Close
Close