BotaLajme

Danimarka vendos dronë ujorë për të mbrojtur infrastrukturën kritike nga Rusia

Danimarka ka filluar testimin operativ të dronëve lundrues në Detin Baltik, si pjesë e një strategjie të re për të forcuar mbikëqyrjen detare dhe për të mbrojtur infrastrukturën kritike nënujore përballë rrezikut në rritje të sulmeve hibride nga Rusia.

Dronët, të njohur si “dronët me vela”, janë prodhuar nga kompania amerikane Saildrone me seli në Kaliforni. Ato përdorin Inteligjencën Artificiale për të mbledhur të dhëna të detajuara për aktivitetin detar, përmes sensorëve, kamerave dhe radarëve të integruar.

“Qëllimi është të kemi sy e veshë në zona ku më parë nuk i kishim”, tha Richard Jenkins, drejtor i Saildrone.

Ai theksoi se përballë përdorimit në rritje të flotës në “hije” nga Rusia, anije të vjetra që transportojnë naftë duke shmangur sanksionet ndërkombëtare, këta dronë mund të ndihmojnë në identifikimin e tyre dhe në zbulimin e lëvizjeve të dyshimta që mund të sinjalizojnë akte sabotimi ndaj tubacioneve apo kabllove të të dhënave nënujore.

“Po shohim një tendencë ku flotat tregtare po përdoren për qëllime ushtarake, qoftë për të shmangur sanksionet apo për të ndërmarrë veprime të rrezikshme ndaj infrastrukturës”, tha Jenkins

Danimarka ka vendosur fillimisht katër dronë me vela në Baltik për fazën testuese, ndërsa për të mbuluar të gjithë zonën e detit, do të nevojiten rreth 10 deri në 20 të tillë. Mjetet mund të qëndrojnë në det për më shumë se një vit dhe funksionojnë me energji diellore, me erë dhe naftë.

Megjithatë, bashkëpunimi me kompaninë amerikane ka ngjallur reagime të forta në vend. Ekspertë të teknologjisë dhe sigurisë digjitale në Danimarkë kanë shprehur shqetësime mbi varësinë nga furnizuesit amerikanë në një fushë kaq të ndjeshme.

“Problemi me kompanitë amerikane është se ato janë të detyruara të ndjekin ligjet dhe urdhrat e SHBA-ve. Presidenti mund të kërkojë të dhëna në çdo moment, apo edhe të mbyllë një llogari”, tha David Heinemeier Hansson, një inxhinier softuerik danez, për televizionin DR.

Kryetari i Këshillit të Sigurisë Kibernetike në Danimarkë, Jacob Herbst, shtoi se zgjedhja e partnerëve amerikanë në një moment me tensione të larta ndërkombëtare kërkon kujdes të veçantë.

Nga ana tjetër, Saildrone ka sqaruar se nuk ka akses në të dhëna të klasifikuara dhe se të gjitha informacionet janë të koduara dhe të sigurta.

Ky zhvillim vjen në një klimë tensioni të vazhdueshëm mes Kopenhagenit dhe Uashingtonit, të përkeqësuar që nga koha kur presidenti Donald Trump propozoi blerjen e Groenlandës, territor në varësi të Mbretërisë Daneze./tvklan.al

Related Articles

Back to top button
Close
Close