EkonomiLajmeMaqedoniTopLajm

Çmimet sërish në rritje, inflacioni mund të arrijë në 4 për qind

Shkalla e inflacionit për vitin 2025 pritet të arrijë në 3.9 për qind, që është 0.9 pikë përqindje më e lartë se parashikimet e bëra në prill. Banka Kombëtare ka rishikuar lart projeksionet e saj për inflacionin, ndërsa edhe Qeveria dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar kanë bërë vlerësime të ngjashme për trendet e çmimeve dhe koston e jetesës. Në raportin më të fundit, Banka Kombëtare thekson se inflacioni do të ndikohet kryesisht nga rritja e çmimeve të ushqimeve dhe presionet e brendshme në tregun e punës, megjithëse pritet një stabilizim gradual i çmimeve të energjisë.

“Pritjet tona janë që norma mesatare e inflacionit në vitin 2025 të jetë 3.9%. Më pas, inflacioni do të ndjekë një rrugë të rënies së harmonizuar dhe do të kthehet në mesataren historike të periudhës së kaluar. Pritet që në vitin 2026 inflacioni të ulet në 2.5 për qind, dhe në periudhën afatmesme të arrijë në 2 për qind”, deklaroi guvernatori Trajko Sllavevski.

QEVERIA PRANON INFLACION MË TË LARTË

Edhe ekzekutivi parashikon një nivel më të lartë të inflacionit sesa ishte planifikuar në fillim të vitit. “Ne presim që inflacioni këtë tetor të jetë disi më i lartë, sepse baza e vitit të kaluar ishte shumë e ulët për shkak të masave të ndërmarra atëherë. Norma vjetore pritet të variojë nga 3.5 deri në 4 për qind për vitin 2025, ndërsa vitin tjetër do të ulet në 2 deri në 3 për qind”, theksoi kryeministri Hristijan Mickoski.

Në Buxhetin e vitit 2026, Qeveria thekson se dy muajt e fundit të vitit 2025 (gusht dhe shtator) kanë treguar stabilizim gradual të inflacionit, por edhe ngadalësim të procesit të uljes së çmimeve, çka justifikon rishikimin e projeksioneve. “Në përputhje me performancën e tregjeve gjatë vitit, projeksioni i inflacionit është rishikuar lart dhe pritet të jetë mesatarisht 3.9% në vitin 2025,” thuhet në dokumentin buxhetor.

EDHE FMN PARASHIKON INFLACION TË NGJASHËM

Sipas Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN), inflacioni në Maqedoninë e Veriut do të arrijë 3.9 për qind në vitin 2025 dhe 3 për qind në vitin 2026. Edhe Anketa e Inflacionit e Bankës Kombëtare, e kryer mes analistëve ekonomikë për periudhën 2025-2027, tregon një rishikim të moderuar lart të pritjeve për shkallën mesatare të inflacionit.

Analistët presin që viti 2025 të përfundojë me inflacion 3.9%, në vend të 3.5% të parashikuar më parë. Për vitin 2026, pritjet janë 3.1%, ndërsa për vitin 2027 mbeten të pandryshuara në 2.7%. Në raport theksohet se faktorët e brendshëm – si rritja e pagës minimale, presioni për rritjen e pagave në sektorin publik dhe privat, rritja e pensioneve, zgjerimi i kreditimit dhe marzhet më të larta të tregtarëve – po ushtrojnë ndikim të drejtpërdrejtë mbi inflacionin bazë.

ÇMIMET E JETESËS DHE SHPORTA SINDIKALE

Sipas Lidhjes së Sindikatave, shporta minimale e jetesës për muajin tetor 2025 ka arritur në 65.077 denarë, ndërsa me përfshirjen e qirasë mujore për një banesë 60 m², vlera totale rritet në 80.919 denarë. Vetëm shpenzimet për ushqim dhe pije kapin shumën e 23.772 denarëve, çka do të thotë se një pagë minimale mezi mbulon ushqimin bazë të një familjeje mesatare.

Në krahasim me tetorin e vitit 2024, kostoja e jetesës është rritur ndjeshëm – atëherë shporta minimale ishte 61.249 denarë, ndërsa me qira përfshihej në 76.624 denarë. Sindikatat kanë përsëritur kërkesën që paga minimale të rritet në 30.000 denarë, ndërsa pagat e tjera të rriten me rreth 6.000 denarë, në mënyrë që të përballohet rritja e vazhdueshme e çmimeve dhe kostoja e jetesës. (koha.mk)

Related Articles

Back to top button
Close
Close