
Prania e një mbreti dhe mbretëreshe në zhveshtore pas një ndeshjeje futbolli është e pazakontë. Akoma më e çuditshme bëhet kur kombëtarja kryesore e vendit të tyre po luan rreth 1.200 kilometra larg.
Megjithatë, në këtë Botëror, pak gjëra kanë qenë të zakonshme për Curaçaon. Përfaqësuesja e vogël nga Karaibet arriti të nxjerrë një barazim historik 0-0 ndaj Ekuadorit, duke fituar pikën e parë ndonjëherë në historinë e pjesëmarrjeve të saj në Kupën e Botës.
Ekuadori dominoi plotësisht takimin, duke regjistruar plot 27 goditje drejt portës, por nuk arriti ta dërgojë topin në rrjetë.
Heroi absolut i ndeshjes ishte portieri 37-vjeçar Eloy Room, i cili realizoi plot 15 pritje dhe mbajti të paprekur portën e ekipit të tij.
Pas humbjes së rëndë 7-1 ndaj Gjermanisë në ndeshjen e parë, ky rezultat u përjetua si një triumf i madh nga Curaçao, ishulli me vetëm rreth 160 mijë banorë. Ndërkohë, Ekuadori e komplikoi ndjeshëm situatën e tij para sfidës vendimtare me Gjermaninë.
Por skenat që pushtuan rrjetet sociale erdhën pas vërshëllimës së fundit. Shumë tifozë u habitën kur panë mbretin Willem-Alexander dhe mbretëreshën Maxima të Holandës duke festuar në zhveshtore me futbollistët e Curaçaos.
Arsyeja lidhet me statusin kushtetues të ishullit. Edhe pse Curaçao ka parlamentin dhe qeverinë e vet, ai është një shtet përbërës brenda Mbretërisë së Holandës, raporton Telegrafi, transmeton Periskopi.



