LajmeRajon

Çka përfiton Kosova nga marrëveshja me ShBA-të për informacionet e klasifikuara

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka nënshkruar me ambasadorin amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, marrëveshjen për Masat e Sigurisë në Mbrojtjen e Informacionit të Klasifikuar.

Përmes kësaj marrëveshjeje, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Kosova kanë marrë përsipër detyrimet për të mbrojtur informacionet e klasifikuara të njëra-tjetrës, duke hapur kështu derën për shkëmbimin e këtyre informacioneve.

Ambasadori Hovenier tha që kjo marrëveshje është dëshmi e përkushtimit të SHBA-ve për vazhdimin e bashkëpunimit me Kosovën, në fushën e sigurisë.

“Në botën e ndërlidhur të shekullit të 21-të, aftësia e partnerëve për të ndarë informacionin shpejt dhe pa probleme është jetike për vendimmarrjen në kohë dhe të informuar. Kjo është veçanërisht e vërtetë në fushat e sigurisë dhe mbrojtjes”, ka deklaruar Hovenier.

“Finalizimi i kësaj marrëveshjeje është i rëndësishëm jo vetëm sepse është kulmi i më shumë se dy viteve të koordinimit dhe negociatave, por gjithashtu përfaqëson përkushtimin e fortë të Shteteve të Bashkuara për bashkëpunim të vazhdueshëm të sigurisë me Kosovën.

Hovenier ka treguar edhe për përfitimet që do të ketë Kosova nga një marrëveshje e tillë me SHBA-në.

“Marrëveshja avancon aftësinë e Kosovës për të mbrojtur sovranitetin dhe integritetin e saj territorial përmes shkëmbimit të informacionit me Shtetet e Bashkuara. Ne mbetemi të palëkundur në përkushtimin tonë ndaj sovranitetit të Kosovës. Kjo marrëveshje gjithashtu promovon qëllimin tonë të përbashkët për të zhvilluar me sukses Forcën e Sigurisë së Kosovës në një forcë mbrojtëse territoriale, multietnike, të operueshme nga NATO. Ajo mbështet drejtpërdrejt synimin tonë të përbashkët për integrimin e plotë të Kosovës në strukturat e sigurisë euroatlantike”, ka theksuar ambasadori.

“Është një qasje e të gjithë qeverisë, e cila do të forcojë kundër-terrorizmin dhe bashkëpunimin rajonal midis dy vendeve tona.Kjo marrëveshje është veçanërisht e përshtatshme në kontekstin më të gjerë të luftës brutale të vazhdueshme të agresionit të Putinit kundër Ukrainës.Shkurtimisht, kjo marrëveshje pasqyron përkushtimin tonë ndaj qëllimeve të përbashkëta, vlerave të përbashkëta dhe një të ardhmeje më të sigurt për të dy vendet tona.Dhe, ai hap rrugën për marrëveshjet e ardhshme të shkëmbimit të informacionit dhe komunikimit”, ka thënë Hovenier.

Ndërsa kryeministri i vendit, Albin Kurti, deklaroi se kjo marrëveshje është detyrë e Qeverisë që të sigurohet për t’i mbrojtur qytetarët e saj.

“Koncepti i sigurisë kombëtare është udhërrëfyes i qeverisjes së përgjithshme. Qeveria e ka për detyrë të sigurohet që qytetarët janë të mbrojtur, dhe një gjë e tillë e bën përmes veprimeve të mençura politike, ekonomike, diplomatike e ushtarake. Siguria kombëtare është e drejtë dhe nevoje. Ajo përkthehet në vullnetin dhe obligimin e Qeverisë te merr vendime me të cilat garanton pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të shtetit, detyrë kjo e cila kërkon jo rrallë ruajtjen e informacionit si konfidencial”.

“Mbrojta e atillë e informacionit parashihet me ligi dhe siguron mbrojtje përderisa interesi kombëtar dikton një gjë të tillë. Prandaj sot, se bashku me ambasadorin Hovenier u dakorduam që informacioni i kategorizuar si i tillë do ruhet ashtu siç e parasheh legjislacioni nacional dhe nuk do zbulohet përveç ndaj atyre që posedon certifikatë të sigurisë, pa marrë parasysh pozitën apo titullin që personi i interesuar në informacion të klasifikuar gëzon”, tha Kurti. Top24

Related Articles

Back to top button
Close
Close