LajmeRajon

Çështja e Asociacionit, Haziri: Kurti dëshiroi t’ia lë zjarrin në dorë Osmanit

Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, ka thënë se kryeministri Albin Kurti, do ta dërgonte në Gjykatën Kushtetuese, draft-statutin për Asociacionin, nëse do i kërkohej një gjë e tillë pa vendim të Qeverisë.

Haziri në RTVD tha se Kurti dëshiroi që t’ia lë “zjarrin në dorë” presidentes Vjosa Osmani apo gjykatësve.

“Kurti nëse e ka dhënë aq lehtë vendimin e Kushtetueses për manastirin, pse nuk e bën nesër në mëngjes vendim draftstauttin dhe e dërgon në Kushtetuese. Ky veprim është që i kërkohet, Qeveria me miratu”.

“Kurtit me ia lënë një mundësi me gjetë vegzën me dërgu në Kushtetuese pa vendim të Qeverisë, s’e ka pasur problem. Ka dashtë me ua lënë gjykatësve apo presidentes zjarrin në dorë, gacat në dorë me menaxhu”, u shpreh Haziri.

Ndërkaq, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka ngulur këmbë të mërkurën se Qeveria e tij nuk do ta pranojë themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe si kusht për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës (KiE).

Duke folur në mbledhjen e Qeverisë në Prishtinë, Kurti tha se Kosova është duke u përballur javët e fundit me “një kusht të ri, i cili nuk ka të bëjë aspak me anëtarësimin” në Këshillin e Evropës.

“Qeveria nuk e pranon kushtëzimin e anëtarësimit në KiE me Asociacion. Për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, ne bisedojmë në Bruksel, e jo në Strasburg”, tha Kurti.

Franca dhe Gjermania i kërkuan Kosovës të bëjë hapa drejt themelimit të Asociacionit pak kohë pasi në fund të prillit Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës dha dritën jeshile për pranimin e Kosovës në këtë organizatë.

KiE – lidere në Evropë për të drejtat e njeriut – mund të votojë për pranimin e Kosovës më 16 maj.

Kurti nguli këmbë se Kosova e meriton anëtarësimin, pasi i ka “plotësuar të gjitha kushtet e nevojshme tashmë”.

“Ne dëgjuam se ka kryeqytete që tash po e kushtëzojnë finalizimin e procesit të anëtarësimit me dërgimin e një dokumenti në gjykatën Kushtetuese të Kosovës… Qeveria e Kosovës nuk mund të dërgojë në Gjykatë Kushtetuese dokumente, të cilat nuk i ka pranuar dhe të cilat nuk janë zyrtare. Kjo kërkesë ndaj nesh ka qenë dhe mbetet absurde”, shtoi Kurti.

Related Articles

Back to top button
Close
Close