BotaTopLajm

Çavuşoğlu: SHBA duhet t’i dorëzojë Ankarasë avionët F-35 ose t’ia kthejë paratë

Ministri turk i Punëve të Jashtme, Mevlüt Çavuşoğlu, ka deklaruar se SHBA ose duhet t’i dorëzojë avionët luftarakë F-35 që ka paguar Turqia ose t’ia kthejë paratë ose të japë një produkt tjetër në vend të tyre, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Nëse SHBA nuk dëshiron të zgjidhë çështjen rreth avionëve F-35 ose nëse Kongresi i SHBA-së e bllokon atë, Turqia do të shqyrtojë opsione të tjera duke përfshirë blerjen e avionëve SU-35 ose SU-57 (të prodhuar nga Rusia)”, tha Çavuşoğlu në një intervistë në televizionin ‘CNN Turk’.

Sot më herët, Ministria turke e Mbrojtjes njoftoi se Turqia dhe SHBA janë pajtuar të vazhdojnë bisedimet për të zgjidhur çështjen mbi programin e avionëve luftarakë F-35.

Sipas një njoftimi nga kjo ministri, përfaqësuesit e mbrojtjes së të dy vendeve zhvilluan një takim në kryeqytetin Ankara, ku po ashtu diskutuan çështjet financiare.

Në vitin 2019, Washintoni hoqi Turqinë nga programi i avionëve F-35 për shkak të blerjes nga Ankara të sistemit rus S-400 të mbrojtjes ajrore.

Megjithatë, Turqia tha se sistemi S-400 nuk do të integrohet në sistemet e NATO-s dhe se nuk do të paraqes kërcënim për aleancën ose armatimet e saj.

Ankara po ashtu në mënyrë të përsëritur propozoi formimin e një komisioni për të sqaruar çështjen.

– Siria

I pyetur për Sirinë dhe për shtimin e akteve terroriste në këtë vend, Çavuşoğlu tha se as SHBA dhe as Rusia nuk e mbajtën premtimin që kanë bërë sipas marrëveshjeve të arritura pas goditjes së terrorizmit nga Turqia në operacionin “Burimi i Paqes” për mbajtjen e terroristëve të PKK/YPG-së larg kufijve turq.

“PKK/YPG-ja rriti sulmet e saj. As Rusia dhe as SHBA nuk i përmbushën premtimet e tyre. Ne duhet të bëjmë çfarë është më e mira për ne”, tha Çavuşoğlu.

Që nga viti 2016, Turqia ka nisur tre operacione të suksesshme kundër-terroriste përtej kufirit të saj në veri të Sirisë për të parandaluar formimin e një korridori terrori dhe për të mundësuar vendosjen paqësore të banorëve, respektivisht operacionin “Mburoja e Eufratit” (2016), “Dega e Ullirit” (2018) dhe “Burimi i Paqes” (2019).

Në fushatën e saj terroriste mbi 35-vjeçare kundër Turqisë, PKK-ja e listuar si një organizatë terroriste nga Turqia, SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian (BE), ka qenë përgjegjëse për vdekjen e të paktën 40 mijë personave, përfshirë shumë gra, fëmijë dhe foshnje. YPG-ja është dega siriane e PKK-së.

– Rasti i Kavala-s, deklarata e dhjetë ambasadorëve të huaj

I pyetur për deklaratën e dhjetë ambasadorëve të vendeve perëndimore në Ankara mbi rastin e Osman Kavala-s, Çavuşoğlu tha se ata nuk kanë të drejtë të ndërhyjnë në punët e brendshme të Turqisë dhe se sigurisht që nuk kanë të drejtë t’i japin udhëzime gjyqësorit turk.

“Ne kishim bërë përgatitjet për t’i shpallur ‘persona të padëshiruar’ me udhëzimin e presidentit tonë (Recep Tayyip Erdoğan) dhe do t’ia paraqisnim kabinetit të hënën. Pas fjalimit të presidentit tonë, paniku u thellua edhe më tej, disa nga të dërguarit filluan të paketojnë valixhet dhe më pas bënë një hap prapa”, tha kryediplomati turk.

Javën e kaluar, Ministria e Punëve të Jashtme e Turqisë thirri ambasadorët e dhjetë vendeve, përfshirë të SHBA-së, Gjermanisë dhe Francës, për përpjekjen e tyre për të ndërhyrë në gjyqësorin turk me një deklaratë të përbashkët mbi çështjen në vazhdim të Osman Kavala-s, i cili është akuzuar për përfshirje në grusht shtetin e dështuar të vitit 2016.

Dhjetë ambasadorët kërkuan lirimin e Kavala-s me pretendimin se çështja në vazhdim “ka hedhur hije mbi demokracinë dhe shtetin e së drejtës në Turqi”.

Si pasojë, të shtunën, Erdoğan urdhëroi Ministrinë e Punëve të Jashtme që t’i shpallë “persona të padëshiruar” këta dhjetë ambasadorë.

Por të hënën, dhjetë ambasadat në Turqi njoftuan se respektojnë nenin 41-të të Konventës së Vjenës, i cili u bën thirrje ambasadorëve të mos ndërhyjnë në punët e brendshme të vendeve ku shërbejnë.

Erdoğan sinjalizoi miratimin e angazhimit të ri të deklaruar të ambasadorëve, duke theksuar se tani e tutje ai pret që ata “të jenë më të kujdesshëm në deklaratat e tyre në lidhje me të drejtat sovrane të Turqisë”.

Related Articles

Back to top button
Close
Close