
Mesfushori turk, Hakan Çalhanogllu, nuk ka rinovuar ende kontratën me Milanin dhe deri tani nuk ka marrë në konsideratë ofertën prej 4.5 milionë eurosh në sezon, duke kërkuar të paktën 5 mln euro neto dhe një tjetër në formë bonusi.
“Nuk kam vendosur ende për të rinovuar, por për momentin kam filluar të mendoj për Kampionatin Europian dhe nuk do të merrem me këtë çështje. Në kohën e duhur, do të vijë edhe vendimi i duhur”, deklaroi turku për mediat italiane.
E njëjtë është situata edhe për portierin Xhixhi Donaruma, i cili shpërtheu në lot pas përfundimit të ndeshjes me Atalantën, si për të konfirmuar dashurinë e tij për fanellën kuqezi, por negociatat për rinovim kanë ngecur.
Mino Raiola nuk heq dorë nga pretendimi për një pagë prej 10 milionë eurosh neto në sezon, kundrejt 7.5-ve që është gati të paguajë Milani, ndaj “kuqezinjtë” kanë nisur të mendojnë për planin B, që është kampioni i sapo-shpallur me Lille, Mainjan. Me këtë të fundit kanë avancuar shumë negociatat dhe mund të veshë fanellën e Milanit për një shifër prej 15 milionë eurosh, gjithsesi primare mbetet gjetja e gjuhës së përbashkët me Donarummën.



