BotaLajme

‘Bota Serbe’ – një koncept që e po i nervozon vendet e Ballkanit Perëndimor

Bota Serbe” u përmend si koncept për herë të parë në shtator të vitit 2020 dhe që nga ajo kohë në Ballkanin Perëndimor ka pasur paralajmërime se ajo frazë rikujton aspiratat e politikës zyrtare serbe që pati rol kyç në shpërbërjen e përgjakshme të ish-Jugosllavisë në fillim të viteve 1990.

Në anën tjetër, nga Beogradi thonë se elita politike që udhëheq me vendin nga viti 2012 nuk ka aspirata territoriale ndaj fqinjëve, por vetëm tregon kujdes ndaj qytetarëve me kombësi serbe në shtetet që kanë dalë nga rënia e Jugosllavisë.

“Më duket se ky është një vazhdim i projektit të ‘Serbisë së madhe’ të Sllobodan Millosheviqit, mbase tash me mjete paqësore dhe artikulim të vizionit të presidentit Aleksandar Vuçiq, si udhëheqës i të gjithë serbëve”, vlerëson Toby Vogel, ekspert në Këshillin e Politikave të Demokratizimit.

“Ideja themelore është që përderisa ‘Serbia e Madhe’ mbetet një ëndërr, ‘Bota Serbe’ mund ta zëvendësoj atë, ose serbët duhet të presin një ose dy dekada derisa të mund të jetojnë në një shtet të vetëm, por që gjithmonë do ta mbajnë të bashkuar ‘shpirtin’ serb. Duke pasur parasysh atë që ndodhi në vitet 1990, është e qartë se kjo gjithmonë do t’i bëjë fqinjët e Serbisë jashtëzakonisht nervozë, dhe për këtë kanë arsye, sepse ajo është një ide destabilizuese””, shton Vogel.

Deri më tani, fqinjët e Serbisë nuk kanë artikuluar një përgjigje të përbashkët. Nuk ka deri më tash shenja se ata kanë kërkuar zyrtarisht reagimin e bashkësisë ndërkombëtare. Por, deri më tani, sinjali më i qartë se diçka e tillë mund të ndodhë ka ardhur nga Kroacia.

Presidenti Millanoviq në veprim

Presidenti i Kroacisë, Zoran Millanoviq, më 16 shtator 2021, deklaroi se është detyrë e tij që t’u tregojë partnerëve perëndimor për kërcënimet nga ideja e “Botës Serbe”. Ai këto komente i bëri gjatë takimit në Zagreb me presidentin e Malit të Zi, Millo Gjukanoviq, i cili tha se ky koncept është eufemizëm për politikën e ‘Serbisë së Madhe’. Millanoviq tha se detyra e tij është të paraqesë këtë në forumet ndërkombëtare.

“Sidomos në të ardhmen, detyra ime do të jetë të tërheq vëmendjen e bashkëbiseduesve të mi të nivelit të lartë në Perëndim, sepse unë e shoh Malin e Zi në Perëndim, për këto gjëra për të cilat ata dinë pak dhe nuk ju interesojnë. Kur shohin ndikimin e disa fuqive të huaja në kufijtë e tyre, nuk e shohin atë në Mal të Zi. Nuk është se ata bëjnë sikur nuk e shohin. Do të doja që dikush t’ua tregonte dhe t’ua tërhiqte vëmendjen. Kjo është puna ime”, pati thënë ai.

Nuk dihet se si partnerët perëndimorë reaguan ndaj pikëpamjeve të Millanoviqit, ashtu siç nuk e komentuan konceptin që vjen nga Serbia, dhe i cili ka nxitur nervozizëm në rajon.

Megjithatë nga ana e zyrtarëve kroatë “Bota Serbe” nuk shihet vetëm në kontekstin e një ideje, efektiviteti i së cilës varet nga aftësitë e autoriteteve në Beograd.

Në raportin vjetor të publikuar më 27 shtator 2021, Agjencia e Inteligjencës në Kroaci thekson se ky është një koncept i mbështetur nga Rusia për të destabilizuar më shumë Ballkanin Perëndimor.

“Në kontekstin rajonal, disa bartës të politikave shtetërore në Serbi promovojnë konceptin e botës serbe si një popull i vetëm politik serb, domethënë një bashkësi e vetme politike dhe shtetërore e të gjithë serbëve në Evropën Juglindore, në të cilën të gjithë serbët duhet të ndjekin një drejtim politik, atë të Beogradit zyrtar. Promovimi i ideve të tilla nga udhëheqësit serbë destabilizojnë më shumë marrëdhëniet e ndjeshme ndëretnike dhe ndër-shtetërore në Evropën Juglindore, veçanërisht ndaj Bosnjë dhe Hercegovinës dhe Malit të Zi”, thuhet në raportin e agjencisë kroate.

Related Articles

Back to top button
Close
Close