LajmeRajon

Blerim Vela i përgjigjet Hotit: Rendi kushtetues u cenua nga politikanë të papërgjegjshëm si ju, jo nga shtëpia e bardhë

Shefi i Stafit të Presidentes së Kosovës, Blerim Vela i është kundërpërgjigjur ish-kryeministrit  Avdullah Hoti pasi ky i fundit e quajti Vjosa Osmanin “ politikane me orientime joperëndimore”.

“Si mund të cenohet rendi kushtetues i Kosovës nga Zyra Ovale e Shtëpisë së Bardhë, e cila e mbron shtetësinë e Kosovës më shumë se disa politikanë dhe bartës institucionesh në Prishtinë?!”, ka shkruar Hoti në Facebook.

Vela tha se rendi kushtetues i Kosovës nuk është cenuar nga Zyra Ovale e Shtëpisë së Bardhë por, “nga politikanë të papërgjegjshëm si Hoti”, përcjell Shqip.com.

“Rendi kushtetues nuk është cenuar nga Zyra Ovale por nga politikanë të papërgjegjshëm si Hoti. Nga kryeministri jokushtetues i Kosovës nuk mund të presim respektim te Kushtetutës dhe të drejtës së patjetërsueshme të Kosovës për të qenë pjesë e organizatave ndërkombëtare”.

Vela ka vazhduar me kundërpërgjigje teka ka thënë se Avdullah Hoti ia ka fikur dritat politikës së jashtme.

“Derisa ai ia ka fikur dritat politikës së jashtme, Presidentja e ka kthyer në binarë atë duke e forcuar aleancën me SHBA-të. E gjithë kjo është arritur pa bërë kompromis me kapësit e shtetit dhe pa shtyrë përpara ide të dëmshme për vendin”, ka shkruar në Twitter.

“Raportet me SHBA-të nuk shtyhen përpara nga politikanë të tillë të papërgjegjshëm dhe të paditur, por nga përfaqësues që mbrojnë aleancat tona dhe interesat e shtetit të Kosovës njëkohësisht”, ka shkruar më tej.

Presidentes e vendit Vjosa Osmani, në seancën e jashtëzakonshme në adresimin para deputetëve tha se me nënshkrimin e moratoriumit 1-vjeçar në kuadër të Marrëveshjes së Uashingtonit u cenuar rendi kushtetues i Kosovës.

“Kosova ka miq dhe aleatë të rinj dhe të vjetër në të gjitha kontinente, që janë të palëkundur në mbështetjen që na japin në rrugëtimin tonë të drejtë të qenurit anëtarë me të drejta të plota dhe të barabarta në komunitetin ndërkombëtar. E gjitha kjo ka ndodhur përkundër një starti jashtëzakonisht sfidues.

Duke aplikuar një politikë të jashtme tërësisht pasive  të ç’akorduar në të kaluarën, e fatkeqësisht duke e pranuar moratoriumin që cenonte rendin tonë kushtetues dhe të drejtën për të konsolidimin për subjektivitetin tonë ndërkombëtar, jo vetëm që u dëmtuan interesat tona strategjike por edhe ishin dikur dritat e politikës sonë të jashtme. Këto drita jo vetëm që janë të ndezura por po punohet pa rreshtur që Kosovën ta kthejmë mbarë e të ecim përpara ashtu siç e meritojnë qytetarët e tanë”, ka thënë presidentja Osmani./Shqip.com

Related Articles

Back to top button
Close
Close