
I dërguari special i Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Steve Witkoff, deklaroi se bisedimet mes Ukrainës dhe Rusisë kanë prodhuar “përparim domethënës” drejt përfundimit të luftës, ndërsa palët përgatiten për ditën e dytë të negociatave në Gjenevë.
Pas raundit të parë të diskutimeve, Witkoff ka shkruar në ‘X’ se përfshirja e presidentit Donald Trump në afrimin e palëve ka ndikuar në arritjen e këtij përparimi. Ai ka theksuar se administrata është krenare që punon nën udhëheqjen e tij për t’i dhënë fund gjakderdhjes në konflikt.
Megjithatë, pritshmëritë për një marrëveshje konkrete mbeten të kufizuara. Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, u shpreh se nuk është e drejtë që Trump të vazhdojë t’i kërkojë Ukrainës lëshime, duke paralajmëruar se paqja nuk mund të ndërtohet nëse fitorja i atribuohet Rusisë.
Zelensky ka përsëritur se Kievit po i kërkohen kompromise joproporcionale në raport me Moskën.



