
Presidenti amerikan Joe Biden dhe Presidenti turk Tajip Erdogan zhvilluan një bisedë telefonike lidhur me aspiratat e Suedisë për anëtarësim në NATO, tha të enjten zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare, John Kirby.
“Ata folën për anëtarësimin e Suedisë në NATO”, tha ai. “Sigurisht që nuk do të habitesha fare nëse është ngritur çështja se ne vazhdojmë të mbështesim një program për modernizimin e avionëve të tyre të modelit F-16”.
Në tetor të vitit 2021 Turqia kërkoi të blinte 40 avionë luftarakë të modelit F-16 të prodhuara nga kompania amerikane Lockheed Martin dhe 79 komplete modernizimi për avionët e saj ekzistues.
Administrata e Presidentit Biden e mbështet shitjen prej 20 miliardë dollarësh, por është ndeshur me kundërshtime në Kongres lidhur me pengesat e Turqisë për zgjerimin e NATO-s me Suedinë dhe shkeljet e saj ndaj të drejtave të njeriut.
Shtëpia e Bardhë tha vonë të enjten se udhëheqësit folën mbi rëndësinë e anëtarësimit të Suedisë në NATO sa më shpejt që të jetë e mundur dhe për të rritur më tej ndërveprimin e Turqisë me NATO-n.
Shtëpia e Bardhë tha se Presidenti Biden kishte vlerësuar hapat e fundit konstruktivë për të përmirësuar marrëdhëniet mes Turqisë dhe Greqisë. Presidenti Biden, tha Shtëpia e Bardhë, përsëriti mbështetjen e tij për të drejtën e Izraelit për t’u vetëmbrojtur ndërsa theksoi nevojën për një horizont politik për popullin palestinez./VOA



