
Për Sali Berishën, zgjedhjet në Bashkinë e Rrogozhinës shënojnë epilogun e farsës elektorale të 14 Majit. Nga selia blu lideri i demokratëve publikoi materiale filmike, që sipas tij provojnë rrëmbimin e mandatit të kandidatit të koalicionit “Bashkë Fitojmë,” Shkëlqim Hoxha në zgjedhjet e së dielës.
“Një terror i të gjitha formave, fiskal, fizik, etj. Fletëvotimi të përgatitura paraprakisht, fotografim i fletëve të votimit, në qendrën e votimit, votime në grupe, votime familjare, të gjitha format e shëmtuara”.
Pas rrëmbimit të mandatit tha se qëndron Kryebashkiaku Veliaj, dhe stafi i tij elektoral.
“E gjithë kjo farsë u drejtua nga Erion Veliaj. Në krye të bandës që terrorizonte qytetarët, qëndronte Blendi Gonxhe, Afrim Qendro, Deputeti Agron Çela Famëzi Valdrin Pjetri, Etien Xhafaj të cilët kryen akte antiligjore”.
Si të vetmen zgjidhje sheh rikthimin në sheshe me qytetarët.
“Rruga e vetme për të rikthyer lirinë, votën e lirë, është përballja në protestë të fuqishme”.
Partia Demokratike e drejtuar prej tij nuk i ka njohur zgjedhjet lokale për të cilat pak kohë më parë publikoi edhe një raport me shkeljet që sipas saj provojnë masakrën elektorale të 14 Majit.



