
EYOF 2025 Festivali Olimpik Evropian për të Rinj, mblodhi 5.000 sportistë nga e gjithë Evropa, një ngjarje që mund të ndodhë vetëm një herë në shekull. Ishte një mundësi e artë për ta vënë vendin në hartën ndërkombëtare, për të frymëzuar rininë, dhe për të treguar se e ardhmja mund të ndërtohet me vullnet, jo vetëm me fjalë.
Por në vend të entuziazmit, patëm heshtje. Institucionet u treguan të painteresuara, politika ditore zëvendësoi vizionin afatgjatë. Madje kryetarja e qytetit të Shkupit u tërhoq për të ndihmuar këtë ngjarje, ndërsa Ministria e Sportit u kyç vetëm dy muajt e fundit, duke “ndihmuar” me 800 mijë euro.
Por ja e vërteta:
Buxheti i Komitetit Olimpik të Maqedonisë ishte 5 milion euro, të cilat vinin nga jashtë dhe sponzorët. Nga këto, 800 mijë euro u paguan si TVSH dhe pikërisht ato para u kthyen nga shteti si ndihmë, jo si mbështetje reale. Pra në thelb, kontributi i shtetit ishte 0 euro.
Dhe megjithatë… fitoi sporti.
Fituan të rinjtë që panë nga afër yjet e së ardhmes. Fitoi ekonomia, sepse mijëra sportistë dhe vizitorë shpenzuan në vendin tonë. Fitoi një ekip i vogël, por i përkushtuar, i Komitetit Olimpik të Maqedonisë, që pa ndihmë, por me vullnet, e çoi këtë organizim deri në fund.
Por shteti humbi.
Humbi një mundësi të artë për të treguar se kujdeset për të rinjtë, për sportin dhe për imazhin e vet.
Dhe kjo është arsyeja pse të rinjtë largohen, sepse nuk shohin perspektivë në një shtet që nuk i sheh.



