
Ish-mesfushori i Anglisë dhe trajneri anglez, Scott Parker, beson se Jude Bellingham nuk po merr vlerësimin që meriton për kontributin e tij në kombëtaren angleze.
Teksa Anglia përgatitet për ndeshjen e parë në Kupën e Botës 2026 ndaj Kroaci, vëmendja është përqendruar te Bellingham, i cili vazhdon të jetë një nga lojtarët më të rëndësishëm në skuadrën e drejtuar nga Thomas Tuchel.
Pavarësisht diskutimeve nëse mesfushori i Real Madrid duhet të jetë titullar në sfidën hapëse, Parker ka dalë në mbrojtje të 22-vjeçarit, duke theksuar se ndikimi i tij në lojë shkon shumë përtej statistikave dhe momenteve spektakolare.
Sipas Parkerit, Bellingham dallohet veçanërisht për inteligjencën taktike dhe punën që bën kur skuadra nuk e ka topin në zotërim, një aspekt që shpesh kalon pa u vënë re nga publiku dhe analistët.
“Kur e shoh nga këndvështrimi i një trajneri, shoh një futbollist me cilësi të jashtëzakonshme, por mbi të gjitha një lojtar që lexon lojën në mënyrë perfekte. Ai mbulon hapësirat me inteligjencë dhe punon vazhdimisht për ekipin”, ka vlerësuar Parker.
Ai shtoi se fakti që Bellingham nuk luan në Premier League mund të ketë ndikuar në perceptimin e publikut anglez, duke bërë që shumë njerëz të mos e kuptojnë plotësisht rëndësinë e tij te Anglia dhe te Real Madridi.
Bellingham vjen në Botërorin 2026 pas paraqitjeve të mira në ndeshjet miqësore ndaj Zelandës së Re dhe Kosta Rikës, ndërsa pritet të ketë një rol kyç në përpjekjen e Anglisë për të fituar trofeun e parë botëror pas 60 vitesh.
Së bashku me kapitenin Harry Kane, mesfushori i Real Madridit konsiderohet një nga armët kryesore të Anglisë në rrugëtimin e saj në Kupën e Botës 2026.



