LajmeRajonTopLajm

BE-ja përmendi shkarkimin e Dakës, reagon Osmani: Unë emëroj, shkarkoj dhe jam ajo që vlerësoj integritetin e KQZ-së

Valdete Daka ishte shkarkuar nga pozita e kryesueses së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve nga ana e Presidentes së Kosovës me 14 qershor 2021, katër vjet para skadimit të mandatit të saj të dytë dhe vetëm një ditë pas shpalljes së zgjedhjeve lokale në Kosovë.

Në raportin e Bashkimit Evropian për Kosovës mbi procesin zgjedhor të mbajtur me 17 tetor 2021 kritikohet vendimi i Osmanit për shkarkimin e Dakës.

Ky vendim sipas misionit të BE-së nuk mund të mbështetet në mënyrë adekuate as me arsyetimin e vendimit as nga bazat e lëshuara nga Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme.

Ndaj këtij raporti të BE-së ka reaguar ashpër presidentja Vjosa Osmani.

Ajo në një konferencë për media ka thënë se është në kompetencë të saj të bëjë emërimin dhe shkarkimin e kryesueses së KQZ-së.

“Interpretimi i ligjshmërisë së vendimeve të Presidentes është kompetencë e gjykatave kompetente, jo e misioneve që të japin deklarata e konkluzioneve të tilla. Legjislacioni në fuqi parasheh që Presidentja është autoriteti për të emëruar kryesuesen e KQZ-së sikurse edhe për ndërprerjen e mandatit të saj. Pra Presidentja është autoriteti emërues, shkarkues dhe ajo që bënë vlerësimin e integritetit të KQZ-së. Vendimi për shkarkimin e kryetares së KQZ-së ka qenë në përputhje të plot me ligjin, me Kushtetutën dhe ushtrim i qartë i kompetencave për të mbrojtur integritetin e atij institucioni”.

Osmani ka vlerësuar kryesuesit e ri të KQZ-së dhe sipas saj kjo u pa në zgjedhjet e 17 tetorit.

“Rezultati po shihet që tashmë është pozitiv me një udhëheqje profesionale dhe apolitike. Si rrjedhojë KQZ tashmë nuk është temë në favor të agjendave politike por është duke u vlerësuar me notat më të larta për performancën e tyre si nga misionet ndërkombëtare po ashtu edhe nga vëzhguesit vendor”.

Presidentja thotë se nuk mërzitet nëse dikush e dërgon në kushtetuese shkarkimin e Dakës.

“Për fund mua askush nuk mund të më spraps me kërcënime për të më dërguar në Gjykatë Kushtetuese. Sa për mua le të më dërgojnë çdo javë nga një rast, por si presidente do të mbetem e përkushtuar në respektim të Kushtetutës”, deklaroi ndër të tjera Vjosa Osmani.

Artikuj të ngjashëm

Back to top button
Close
Close