LajmeMaqedoniTopLajm

BDI: Vetëm një ditë pasi zhbënë përfaqësimin etnik apo adekuat, VLEN u rikthye te propaganda e “bashkimit”

Vetëm një ditë pasi shumica qeveritare kaloi në lexim të parë Ligjin për përfaqësim të drejtë dhe adekuat pa kuota etnike, pa mekanizma mbrojtës dhe pa sanksione, VLEN u mblodh në Tetovë për të mbajtur Kuvend themelues dhe për të ripërsëritur narrativën e vjetër të “bashkimit”.

Pas dy vitesh në qeveri, bilanci i vetëm politik i VLEN-it është zhbërja sistematike e të drejtave të fituara të shqiptarëve. Nga dobësimi i mekanizmave të përfaqësimit, te relativizimi i përdorimit të gjuhës shqipe dhe heshtja përballë vendimeve që cenojnë barazinë, kjo garniturë politike ka dëshmuar se nuk ka as vizion dhe as kapacitet për të mbrojtur interesat kombëtare.

Megjithatë, edhe pas gjithë këtij dështimi, ata vazhdojnë të sillen rreth të njëjtit strumbullar politik: gjoja “bashkimit”. Kur mungojnë rezultatet, kur mungojnë projektet dhe kur mungon guximi për të mbrojtur qytetarët që i votuan, atëherë mbetet vetëm propaganda.

Ironia më e madhe është se për bashkim flet një subjekt që edhe vetë nuk ka arritur të zgjidhë problemet e veta të brendshme. Partia me dy gjysmëkryetarë, me disa qendra vendimmarrjeje dhe me konflikte të vazhdueshme të brendshme, nuk arrin të dalë nga lëvozhga e vet politike, e lëre më të pretendojë se mund të bashkojë shqiptarët.

Akoma më absurde është se në mungesë të arritjeve politike, ata krenohen me mbledhjen e 1300 nënshkrimeve, sikur kjo të ishte ndonjë sukses i jashtëzakonshëm politik. Pas dy vitesh në pushtet, pas kontrollit të ministrive, institucioneve dhe resurseve shtetërore, standardi i suksesit të VLEN-it qenka mbledhja e 1300 nënshkrimeve. Kjo flet më së miri për gjendjen reale të këtij projekti politik dhe për hendekun mes propagandës së tyre dhe mbështetjes që gëzojnë në terren.

Shqiptarët sot nuk kanë nevojë për slogane të konsumuara dhe spektakle partiake. Ata kërkojnë dinjitet, përfaqësim real, mbrojtje të të drejtave të tyre dhe politikë që prodhon rezultate konkrete.

Prandaj, para se të flasë për bashkim, VLEN duhet t’u japë përgjigje qytetarëve se pse pas dy vitesh në pushtet ka pranuar çmontimin e mekanizmave që garantonin përfaqësimin e drejtë dhe adekuat të shqiptarëve dhe komuniteteve të tjera. Poashtu, BDI pyet:

-Nëse pas dy vitesh në qeveri krenaria kryesore janë 1300 nënshkrime, ku janë rezultatet për shqiptarët?

-Ku janë premtimet për barazi, përfaqësim dhe dinjitet?

Historia do t’i kujtojë jo për fjalët që thanë në kuvende partiake, por për të drejtat që humbën ndërsa ishin në pushtet.

Related Articles

Back to top button
Close
Close