LajmeSport

Barcelona paguan klauzolën, zyrtarizimi i portierit spanjoll çështje orësh

Barcelona ka aktivizuar klauzolën për blerjen e portierit të Espanyol-it, Joan García. Sipas burimeve nga klubi “blaugrana”, La Liga i ka komunikuar zyrtarisht Espanyol-it të shtunën se Barça ka dhënë urdhër për pagesën e shumës prej 26.3 milionë eurosh, duke përfshirë edhe indeksimin e çmimit me inflacionin. Grupi kinez Rastar, i cili zotëron mbi 99% të aksioneve të klubit, e ka bërë publik lajmin në bursën e Shenzhen-it mëngjesin e së hënës.

Çmimi fillestar i klauzolës ishte 25 milionë euro, por për shkak të rregullave të inflacionit, shifra përfundimtare u rrit në 26.341.500 euro. Pagesa u urdhërua që të premten nga Barcelona, por për shkak të fundjavës, La Liga ende nuk ka dhënë miratimin përfundimtar. Gjithsesi, miratimi pritet të vijë brenda ditës së sotme ose nesër dhe më pas do të zyrtarizohet transferimi i Joan García-s si përforcimi i parë i Hansi Flick për sezonin 2025/26.

Ky transferim përbën gjithashtu një injeksion të fuqishëm financiar për Espanyol-in. Sipas komunikatës zyrtare të grupit Rastar, klubi do të përfitojë një fitim neto prej të paktën 18.75 milionë eurosh pas taksave nga kjo shitje. Këto para do të përdoren për mbështetjen e kapitalit qarkullues dhe operacioneve të përditshme të klubit, duke përmirësuar ndjeshëm situatën financiare të tij.

Joan García, një nga portierët më premtues të futbollit spanjoll, do të veshë fanellën ‘blaugrana’ që nga sezoni i ardhshëm, në një lëvizje që e përforcon konkurrencën në portën e Barcelonës përkrah Ter Stegen.

Related Articles

Back to top button
Close
Close