EkonomiLajmeRajon

Balluku: Porti i ri i Durrësit, 390 milionë euro që do të shërbejë për ndërtimin e strukturës bazike

Zëvendëskryeministrja, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku bëri të ditur sot se Porti i ri i Durrësit është një nga projektet më të rëndësishme të dekadës së ardhshme.

Duke folur në seancën e sotme plenare në Kuvend, Balluku u ndal tek porti në Porto Romano dhe Porti i Durrësit, duke vënë në dukje se nuk do të ketë asnjë mbyllje të këtyre porteve dhe se të ardhurat nga këto dy projekte arrijnë mbi 280 milionë euro.

Duke iu përgjigjur kritikëve, Balluku sqaroi se për këto projekte është bërë prezantimi në selinë qendrore të NATO-s, duke u vlerësuar si një zonë shumë e rëndësishme. Porti i Durrësit, shtoi ajo, do të vazhdojë të jetë i shqiptarëve, ndryshe nga çfarë ka deklaruar opozita e cila sipas saj po e përdor këtë projekt, për ta kthyer në një ‘kalë beteje’.

Zhvendosja e Portit të Durrësit në Porto Romano, tha Balluku, “është projekti më transparent i bërë deri më tani. Dhe nuk bëhet fjalë për mbylljen e një porti dhe hapjen e një porti tjetër, por për të dy portet, një turistik dhe një ushtarak”.

“Sipas planeve tona të mirëstudiuara, do të jetë edhe edhe një zonë ushtarake e cila ka një dizenjim dhe ne tashmë e kemi njoftuar këtë publikisht pasi e kemi bërë prezantimin dhe kemi marrë mbështetjeje nga NATO, për idenë për të pasur një bazë detare të aleancës në zonën e Porto Romanos dhe ka nisur puna”, tha ajo.

Balluku theksoi se “në paketën 390 milionë euro që do të shërbejë për ndërtimin e strukturës bazike 175 milionë euro janë të dedikuara për infrastrukturën detare parësore që do t’i shërbejë portit detar, por edhe atij militar që do të ngrihet në këtë zonë”.

Porto Romano, sipas ministres, do të bëhet porti më i madh detar i Shqipërisë, duke ofruar një strukturë mallrash të klasit botëror për bizneset e rajonit dhe duke shtrirë përfitimet ekonomike në të gjithë Evropën Juglindore.

Porti i Durrësit është një aset publik ku shteti ka 33% të aksioneve.

Related Articles

Back to top button
Close
Close