
Gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor rrezikojnë kolektivisht të humbasin më shumë se 700 milionë euro nga Plani i Rritjes i Bashkimit Evropian nëse deri në mesin e vitit nuk i zbatojnë reformat e dakorduara.
Sipas mediave rajonale, komisionerja evropiane për zgjerim Marta Kos më 17 shtator u ka dërguar letër të gjitha kryeqyteteve në rajon, me një mesazh të qartë se është e domosdoshme përshpejtimi i ndjeshëm i proceseve reformuese për shfrytëzimin e plotë të këtij paketi financiar.
Maqedonia pret mjete për 16 hapa reformues
Në prag të këtyre paralajmërimeve, Qeveria e Maqedonisë njoftoi se agjenda reformuese po zbatohet me ritëm të përshpejtuar. Kryeministri Hristijan Mickoski deklaroi se reformat nuk janë më vetëm plan në letër, por po japin rezultate të matshme.
Pas takimit me ambasadorët e Bashkimit Evropian, kryeministri Mickoski paralajmëroi hapa konkretë të radhës nga agjenda reformuese, veçanërisht në fushën e financave publike. “Po e forcojmë llogaridhënien dhe transparencën. Sistemi buxhetor po modernizohet dhe po përmirësohet menaxhimi i investimeve publike. Mesazhi është i qartë – mjetet publike menaxhohen më me përgjegjësi dhe më efikasitet”, theksoi ai.
Sipas zëvendëskryeministrit dhe ministrit për çështje evropiane, Bekim Sali, nga gjithsej 21 hapa reformues të dorëzuar, institucionet maqedonase presin vlerësim pozitiv për 16, gjë që do të mundësonte lirimin e rreth 70 milionë eurove mbështetje financiare.
Ai theksoi se ka përparim në fusha kyçe si menaxhimi i financave publike, tranzicioni energjetik, kapitali njerëzor dhe mjedisi i biznesit, të cilat kontribuojnë në përmirësimin e qeverisjes dhe përafrimin me standardet e BE-së. Në të njëjtën kohë, mbeten sfida, sidomos në pjesën e reformave komplekse ligjore dhe hapave brenda periudhës së “grace”-it.
Reformat në drejtësi – kyç për perspektivën evropiane
Ministri i Punëve të Jashtme Timço Mucunski informoi se takimi me ambasadorët ishte i fokusuar në reformat dhe koordinimin me BE-në, ndërsa zëvendëskryeministri për çështje evropiane Bekim Sali prezantoi progresin e Agjendës Reformuese 2024–2027.
Si fusha kyçe u theksuan menaxhimi i financave publike, tranzicioni energjetik, kapitali njerëzor dhe mjedisi i biznesit. Ministri i Drejtësisë Igor Filkov njoftoi se po punohet për ndryshime në Kodin Zgjedhor, të harmonizuara me rekomandimet e OSBE/ODIHR, si dhe për ligje të reja sistemore. Ai theksoi se Ligji për Këshillin Gjyqësor tashmë jep rezultate konkrete, por paralajmëroi se ligjet kyçe për prokurorinë publike janë të bllokuara në Kuvend.
Paralelisht po përgatiten edhe Kod i ri Penal dhe Ligj për procedurë penale, plotësisht të harmonizuara me direktivat e Bashkimit Evropian.
Ballkani Perëndimor përballet me rrezik të humbjes së përhershme të fondeve
Deri më tani, kësti i parë ose më shumë këste nga financimi në kuadër të Planit të Rritjes janë paguar për pesë vende në rajon, me përjashtim të Bosnjë dhe Hercegovinës, e cila u vonua me miratimin e agjendës së saj reformuese. Fundi i qershorit konsiderohet afat kritik. Pas këtij afati, vendet që nuk i zbatojnë reformat hyjnë në të ashtuquajturën “fazë e humbjes së përhershme”.
Humbjet potenciale sipas vendeve janë: Shqipëria – 67,7 milionë euro, Bosnja dhe Hercegovina – 373,9 milionë euro, Mali i Zi – 15,1 milionë euro, Kosova – 68,8 milionë euro, Maqedonia e Veriut – 49,2 milionë euro dhe Serbia – ndërmjet 108,7 dhe 135,9 milionë euro.
Humbja totale e mundshme arrin në 710,6 milionë euro, ose pothuajse 12% e paketës së përgjithshme prej 6 miliardë eurosh të Planit të Rritjes, që synon të dyfishojë ekonomitë e rajonit në dekadën e ardhshme.



