LajmeMaqedoniTopLajm

“Asnjë përparim, asnjë reformë”! Raportuesi për Maqedoninë me akuza të reja

Raportuesi për Maqedoninë në Parlamentin Evropian, Thomas Waitz, ka porositur se respekti i ndërsjellë ndërmjet vendeve anëtare dhe vendeve kandidate është bazë e bashkëpunimit tonë në European Union. I pyetur për rrugën evropiane të Maqedonisë së Veriut, Waitz në një intervistë për Euronews Bulgaria ka theksuar se, sidomos në këto kohë gjeopolitike, vetëm së bashku si popuj evropianë, mund ta mbrojmë mënyrën tonë evropiane të jetesës dhe vlerat tona evropiane.

“Kjo vlen për të gjitha qeveritë, si edhe për Qeverinë e Maqedonisë së Veriut. Gjatë vitit të fundit nuk kemi parë asnjë përparim, asnjë reformë. Dhe nuk bëhet fjalë vetëm për nisjen e negociatave, por edhe për agjendën reformuese dhe Planin e Rritjes. Nëse vendi nuk i zbaton reformat e nevojshme, 47 milionë euro nuk do të shkojnë tek ai, por tek vendet fqinje”, ka thënë Waitz.

Raportuesi, ndër të tjera, ka deklaruar se reformat më të rëndësishme për anëtarësim në BE janë reformat në fushën e sundimit të ligjit, lufta kundër korrupsionit dhe sigurimi i një sistemi të pavarur gjyqësor që garanton drejtësi për qytetarët, por edhe për biznesin.

“Po ashtu edhe për zhvillimin e vendit. Pa Bashkimin Evropian, nëse nuk keni standard të duhur të sundimit të ligjit, nuk do të tërhiqni investitorë të huaj që të investojnë në vendin tuaj. Pra, kjo është çështje kyçe. Po, korrupsioni është kancer në shoqëritë tona, por edhe në Bashkimin Evropian. Edhe në vendin tim ne, ende luftojmë kundër korrupsionit. Pyetja është nëse kemi institucione, nëse kemi legjislacion, nëse kemi autoritete të afta, të gatshme dhe me hapësirë politike për të vepruar në luftën kundër korrupsionit. Ende duhet të shohim përmirësime në këtë drejtim nga Maqedonia e Veriut dhe qeveria e saj. Kjo është qartë e theksuar edhe në raport”, ka nënvizuar Waitz.

Ai po ashtu ka thënë se shpreson që afrimi i Shqipërisë me anëtarësimin në BE do të shërbejë si stimul edhe për skenën politike në Maqedoni.

“E shoh këtë te njerëzit – prejse nisi ndarja e procesit, mbështetja për Bashkimin Evropian në Maqedoninë e Veriut po rritet. Dhe shpresoj që qeveria i dëgjon qytetarët e vet. Kjo është ajo që do populli. Jo aq për ndonjë argument politik apo ideologjik, por kryesisht për sundimin e ligjit, sigurinë dhe zhvillimin ekonomik, për çështjet e jetës së përditshme. A do të kenë fëmijët e mi punë? A ka çerdhe? A ka infrastrukturë? A ka spital? Këto janë pyetjet që u interesojnë njerëzve dhe ata e kuptojnë se brenda Bashkimit Evropian ka më shumë gjasa të marrin më shumë prej këtyre”, ka theksuar Waitz.

“Nëse Maqedonia e Veriut angazhohet seriozisht për reforma dhe duke pasur parasysh se vendi është kandidat për më shumë se 20 vjet, tashmë ka ndërmarrë disa hapa që vende të tjera si Bosnja dhe Hercegovina apo Serbia ende nuk i kanë bërë, atëherë ende ka mundësi t’i bashkohet klubit të Shqipërisë dhe Malit të Zi drejt anëtarësimit gjatë këtij mandati të Parlamentit Evropian.

Fatkeqësisht, deri tani nuk shoh se po ndërmerren reformat e nevojshme. Për momentin, nuk shoh vullnet politik nga Qeveria për t’u angazhuar seriozisht, veçanërisht kur bëhet fjalë për sundimin e ligjit dhe pavarësinë e gjyqësorit. Por unë jam këtu për të mbështetur, për të ndihmuar rajonin të ecë përpara, ndaj nuk do të heq dorë”, ka përfunduar Waitz në intervistë.

Related Articles

Back to top button
Close
Close