
Deputeti i Aleancës për shqiptarët Halil Snopçe vazhdon me betejën e tij politike dhe debatin
konstruktiv të ligjit për përfaqësim të drejtë dhe adekuat. Gjatë diskutimit të sotëm Snopçe theksoi se ne nuk jemi kundër profesionalizmit dhe meritokracisë,përkundrazi, besojmë fuqimisht se institucionet duhet të ngrihen mbi kompetencën dhe cilësinë profesionale.
Megjithatë, duhet të jemi të kujdesshëm që, në emër të meritokracisë, të mos cënohet një e drejtë kushtetuese themelore, përfaqësimi i drejtë dhe adekuat i të gjitha bashkësive.
Këtë shqetësim e ka shprehur edhe Komisioni i Venecias, i cili ka rekomanduar shprehimisht që zbatimi i parimeve meritokratike të mos rrezikojë përfaqësimin etnik të bashkësive në institucionet publike.
Në kuadë të kësaj Snopçe i’u referua nenit 7 të ligjit, i cili në vlerësimin përmban një paradoks serioz. Ky nen parashikon që masat e diferencimit të zbatohen vetëm kur kandidatët kanë numër të barabartë pikësh. Problemi, sidoqoftë, qëndron në vetë mënyrën se si strukturohet vlerësimi i kandidatëve.
Në praktikë, sistemi aktual nuk merr parasyshë vetëm mesataren e notave apo nivelin e studimeve, por edhe rangimin ndërkombëtar të universiteteve ku kandidatët kanë diplomuar. Kjo krijon një disavantazh strukturor për kandidatët shqiptarë, të cilët në numër të konsiderueshëm diplomojnë në universitete që ofrojnë mësim në gjuhën shqipe institucione që shpesh renditen më ulët në listat ndërkombëtare, pavarësisht cilësisë reale të formimit që ofrojnë.
Me fjalë të tjera, ekziston rreziku konkret që, nën arsyetimin e meritokracisë, pabarazitë ekzistuese jo vetëm të ruhen, por të legjitimitohen, duke dëmtuar kështu përfaqësimin e shqiptarëve në institucionet shtetërore.
Pikërisht për këtë arsye, nevojiten mekanizma më efektivë dhe garanci më të forta ligjore garanci që sigurojnë zbatimin real të parimit kushtetues të përfaqësimit të drejtë dhe adekuat, jo vetëm si deklaratë formale, por si realitet konkret në çdo nivel të administratës publike.



