
Kombëtarja shqiptare ka përpara dy ndeshje shumë të rëndësishme, sepse nisin një kapitull tjetër, atë të kualifikueseve të Botërorit.
Asani është një nga të besuarit e Silvinjos, madje e ka dëshmuar këtë duke e aktivizuar nga fillimi edhe kur anësori ishte i dëmtuar dhe në këtë fushatë kualifikuese, futbollisti i Kombëtares duhet të marrë më shumë përgjegjësi. Të gjithë duan të shohin Asanin fantastik të kualifikueseve të Europianit, ku me golat e tij bëri për vete të gjithë tifozët dhe një pjesë e madhe e meritës i takon atij për kualifikimin në atë turne.
Por, rënia që ai pësoi pas Europianit, nuk duhet të përsëritet më, nëse gjithmonë do të tentojmë diçka për Botërorin. Asani, përveç ndeshjes me Ukrainën, u “fsheh” nga rivalët dhe nuk la gjurmë në Ligën e Kombeve, edhe pse ishte titullar në çdo përballje.



