LajmeRajonTopLajm

Artan Hoxha flet pas dëshmisë: “21 Janarin” ta hetojë SPAK, i habitur që audio e Gardës nuk ishte në dosje

Gazetari Artan Hoxha ka dhënë një deklaratë për mediat në momentin që ai ka dalë nga ambientet e Drejtorisë së Policisë së Tiranës ku ka shkuar më herët për të dëshmuar si dhe për të dorëzuar një material audio në lidhje me ngjarjen e 21 Janarit, ku mbetën të vrarë katër qytetarë në protestën para Kryeministrisë.

Gazetari është shprehur pas dorëzimit të këtij materiali se është i habitur që kjo audio e Gardës, ku pretendohet se Ndrea Prendi urdhëron vartësit të qëllojnë mbi protestuesit në rast se thyejnë perimetrin e sigurisë, nuk ka qenë pjesë e dosjes që është gjykuar më herët.

Sipas gazetarit Hoxha, dosjen duhet ta marrë në dorë SPAK, pasi nëse kjo çështje nuk zgjidhet në këtë kohë, do jetë shumë vonë.

Artan Hoxha: Nuk e vura re se sa kohë që qëndrova, por me thënë të drejtën u vura në dispozicion të hetimit të çështjes. Prokurorja që heton çështjen kishte deleguar detyra për oficeret e policisë gjyqësore të Tiranës. Ata  në zbatim të urdhrit më kërkuan të jepja deklarim për këtë çështje, përshëndes Prokuroren që reagoi dhe shpresoj që ky detaj i ri t’i japi një nxitje hetimit.

Ajo që unë do kërkoja në të vërtetë dhe familjarët e të vrarëve të 21 Janarit, është që këtë çështje ta marrë në dorë SPAK. Kjo nuk ka të bëjë me aftësitë profesionale të Prokurorit që ka çështjen por me mundësitë që SPAK-u ka. Duke patur parasysh që ky është një krim shtetëror duhen pyetur nivelet më të larta të shtetit dhe duhen pyetur nivelet më të larta të shtetit në atë kohë dhe të shtetit sot.

Patjetër që ky është një atribut i Prokurorisë së Posaçme, SPAK. Në lidhje me ngjarjen nuk janë pyetur në atë kohë dhe nuk janë dhënë deklarime nga as nga ish-kryeministri Berisha, as ish Presidenti Topi, as ish ministri i brendshëm Basha, as Prokurorja e Përgjithshme në atë kohë Ina Rama, e cila ka qenë në presion të jashtëzakonshëm dhe po ashtu nuk është pyetur as ish-shefi i opozitës në atë kohë dhe kryeministër sot, Edi Rama.

Kjo është një mundësi dhe unë besoj se kjo është mundësia e fundit për ta zbardhur dhe hetuar në mënyrë shteruese 21 Janarin. E para kanë kaluar shumë kohë, tani kemi një strukturë të re ne pozicion, si SPAK-u dhe Gjykata e Posaçme.

Koha nuk është siç ka qenë nuk jemi në atë presionin e jashtëzakonshëm që u vu drejtësia në atë kohë. Ky është momenti i duhur, dhe mendoj po kaloi ky moment do jetë vonë për t’u dhënë përgjigje familjarëve të katër dëshmorëve të atdheut të ekzekutuar në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.  

Ky duhet të jetë qëllimi i hetimit, të qetësohen shpirtrat e të vrarëve të qetësohen familjarët dhe fëmijët e baballarëve që janë rritur jetim, duhet t’u jepet sot një përgjigje.

Ata janë vrarë para kamerave, në një protestë miqësore janë vrarë me duar në xhepa. Asnjë nga katër të vrarët nuk kanë qenë brenda perimetrit të rrethuar të Kryeministrisë. Aleks Nika dhe Faik Myrto kanë qenë matanë bulevardit. Parë në këtë prizëm e gjitha kjo mundësi që i jepet Prokurorisë besoj se duhet ta shfrytëzojnë e ta zgjidhin një herë e mirë. Është një ngjarje që ka mbetur në histori, ajo ngjan me 2 prillin e 1991.

Lidhur me deklarimet e mia unë deklarova informacionin që disponoj, në lidhje me çështjen, u dhashë informacionin se për çfarë bëhet fjalë, si është disponuar. Jam i habitur që nuk ka qenë në dosjen e gjykuar më parë, edhe në dosjen e gjykuar nga Gjykata për Krimet e Rënda./tvklan.al

Related Articles

Back to top button
Close
Close